E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në qeli Shota e Haklajve

I vihen prangat në Goteborg Zylfie Haklajt, të dënuarës me 25 vjet burg për vrasje të dyfishtë. Jetonte e maskohej si burrë

Kur qëlloi 6 vite më parë mbi një grup burrash, Zylfie Haklaj kishte ende flokë të gjatë dhe padyshim ndjenja të tmerrshme hakmarrjeje për vrasjen e 4 vëllezërve dhe 10 kushërinjve e krushqive. Më pas, e ashtuquajtura “Shotë”, e shpallur në kërkim nga policia, mori malet e arratinë dhe deri më dje duket se më shumë ka jetuar gati-gati si burrë, si virgjëreshat e dikurshme të malësisë. Vetëm dje, mijëra kilometra larg Shqipërisë, në Goteborg të Suedisë, ajo “mbajti frymën” për t’u gjendur tashmë pas hekurave të një qelie e për të hedhur në “kokë a pilë” jetën e saj. Do të fitojë azilin politik në Suedi, ashtu si pjesa tjetër e mbijetuar e familjes, apo do ta ekstradojnë në Shqipëri, për të vuajtur dënimin prej 25 vitesh të dhënë nga gjykata vetëm pak kohë më parë?

Arrestimi

Merr fund pas gjashtë vitesh arratia e Zylfie Haklajt, femrës që vrau dy burra e plagosi dy të tjerë për të marrë hakun e katër vëllezërve të vrarë. E nëse tashmë ajo i jep fund kalvarit të gjatë të maskimeve dhe fshehjes së policisë, dy janë versionet rreth së vërtetës së djeshme në Goteborg të Suedisë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur dje zyrtarisht, se 45-vjeçarja u arrestua nga Interpol Tirana dhe homologët e saj suedezë, ndërsa familjarët deklarojnë se ish-mësuesja e fizikës u vetëdorëzua në praninë e avokatit të familjes së saj në shtetin suedez. Kështu, sipas një njoftimi për shtyp të policisë, thuhet se ditën e djeshme, në afërsi të Goteborgut, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Suedinë arrestuan të shpallurën në kërkim ndërkombëtar policor, Zyflie Haklajn, lindur në Tropojë. E dënuar me 25 vjet burg për veprat penale të “vrasjes me dashje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “armëmbajtje pa leje e armëve luftarake”, vajza e njërës prej familjeve më në zë të Tropojës, vrau në 2 prill të vitit 2002, rreth orës 10.15 minuta, në një lokal të qytetit të Tropojës, Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin dhe plagosi Izet Dushajn dhe Hysen Biberajn. Po sipas njoftimit, bëhet e ditur se deri tani ajo ka mundur të fshihet, pasi përdorte emra dhe identitete të ndryshme dhe maskohej në të shumtën e kohës si mashkull. Por varianti tjetër që hedh poshtë atë zyrtar policor është ai i familjarëve të saj. Persona pranë kësaj familjeje bëjnë të ditur për “Korrieri”, se e afërmja e tyre nuk u  arrestuar, por u vetëdorëzuar në praninë e një avokati në drejtësinë suedeze. Njëkohësisht, ajo ka kërkuar dhe azilin politik, të cilin e kanë përfituar tre muaj më parë të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje, që tashmë jeton në Goteborg. E nëse kërkesa për azil politik do të miratohet nga drejtësia suedeze, ekstradimi i saj nuk do të mund të realizohet.

Hakmarrja e Zylfies

Rreth orës 10.15 minuta të datës 2 prill të vitit 2002, mësuesja e fizikës zbriti nga fugoni në qendër të qytetit, para monumentit të Bajram Currit. Më pas ngjiti shkallët e lokalit “Ervin”, lokal i pozicionuar në trotuarin mbi shëtitoren kryesore. Ajo iu drejtua tavolinës në të cilën ishte ulur Rasim Lumneshi, së bashku më shumë meshkujt të tjerë. Pa humbur aspak qetësinë, ka zbërthyer pallton, duke nxjerrë prej saj një armë tip zjarri tip kallashnikov. E duke ruajtur qetësinë e pa hezituar aspak, hap zjarr direkt, duke qëlluar një nga një të gjithë personat e tavolinës. Nga të shtënat mbeti i vdekur në vend Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani. Ndërsa Hysni Biberaj dhe kryetari i gjykatës së Tropojës, Kujtim Dusha, mbetën të plagosur. Po gjakftohtë, pasi lau hesapet e mori hakun e katër vëllezërve të vrarë, kopsiti pallton dhe vazhdoi të ecte në këmbë, duke u larguar drejt pallateve në lagjen “Partizani”. Pas ngjarjes e deri më dje arriti t’i shpëtonte mjaft mirë policisë.

Veçse të vdekur

Në harkun kohor të dy viteve, nga vitit 1998-2000, Muharrem Haklaj humbi katër djem. Vrasja e parë që më pas do të përgjakte Tropojën, ndodhi më 5 janar 1998, në vendin e quajtur Qafa e Luzhës. Persona të armatosur vranë në pritë Shkëlqim Haklajn dhe kunatin e vëllait të tij, Fatmirit, Artur Demirin. Sapo kishte kaluar një vit nga kjo ngjarje, pikërisht më 6 maj 1999, gjatë një atentati me mina të telekomanduara mbetet viktimë nipi i Haklajve, Eduart Haklaj dhe plagoset Fatmir Haklaj. Tre muaj më vonë, më 4 gusht 1999 vritet Halil Haklaj dhe Feriz Kërrnaja. Ngjarja ndodhi pranë Urës së Kojit dhe Haklaj e Kërrnaja ranë viktima të një atentati me mina të telekomanduara. Fatkeqësitë për familjen Haklaj nuk do të përfundonin këtu. Më 4 nëntor 1999, 50 metra nga kulla e Mulosmanëve në Bujan, vriten në pritë Fatmir Haklaj dhe Sami Kërrnaja. Ndërsa një vit më vonë, persona ende të paidentifikuar vranë me snajper, jashtë rrethimit të kullës së fortifikuar në Kërrnajë, Ylli Haklajn.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›