Nën hetim përzgjedhja e municioneve

TIRANË - Hetimi i çështjes “Gërdeci” është rikthyer sërish në zyrat dhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, që direkt apo indirekt kanë lidhje me veprimtarinë që kryente fabrika e Mihal Delijorgjit. Këtë radhë, grupi hetimor është përqendruar mbi veprimtarinë e përzgjedhjes së municioneve të destinuara për çmontim, i cili duhet të kryhej nga një grup ekspertësh në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 138, i cili u lë shumë dorë të lirë në vendosjen e çmimit dhe llojit të municioneve që duhet të demontohen apo shiten. Sqarimi i këtyre çështjeve mes të cilave dhe dyshimet për shkelje financiare, çuan dje në Prokurorinë e Përgjithshme dy ushtarakë të lartë, të cilët ishin pjesë e grupit të ekspertëve që përcaktuan municionet që do të shkonin drejt Gërdecit. Ish-shefi i seksionit të armatim-municionit në Shtabin e Përgjithshëm, i larguar në maj të vitit 2007 nga detyra dhe një zyrtar tjetër i Ministrisë së Mbrojtjes, dhanë dje shpjegime për praktikat e përdorura nga komisioni i ekspertëve në përzgjedhjen e municioneve, pasi prokuroria dyshon se drejt Gërdecit veç municioneve të nxjerra si stok, shkonin dhe fishekë, që ndoshta përdoreshin për shitje jashtë Shqipërisë. Burime pranë grupit hetimor thanë për “Korrierin”, se dy personat që dhanë shpjegime rreth këtij faktin, deklaruan se në përzgjedhjen e municioneve që do të demontoheshin është mbajtur parasysh vjetërsia e tyre. Një fakt tjetër mbi të cilin janë ngritur dyshime dhe hipoteza nga ana e prokurorisë, ka të bëjë edhe me përcaktimin e kalibrit të predhave që duhet t’i nënshtroheshin procesit të çmilitarizimit. Në vendimin e Këshillit të Ministrave që mban datën 14 mars të vitit 2007, thuhet shprehimisht se: “Ministria e Mbrojtjes në funksion të reduktimit të stoqeve të vjetruara të municioneve të kalibrit të vogël të nxjerra nga përdorimi e armatimi, mund të realizojë shitje për çmontim dhe çmilitarizim”. Sipas prokurorisë, thuhet se ky vendim përcakton vetëm municione të kalibrit të vogël, dhe një gjë e tillë është pranuar dhe nga dy ushtarakët e lartë, të cilët thanë se në përzgjedhje është mbajtur parasysh edhe kalibri i municioneve. Po ndërkohë, të tjera fakte janë në dorën e prokurorisë, ku thuhet se predhat që çmontoheshin në Gërdec ishin të kalibrave deri në 152 mm, predha të cilat sipas ekspertëve i përkasin topit “Obus”. Një pikë tjetër që është në hetim është dhe caktimi i çmimit, për të cilin komisioni duhet të mbajë parasysh koston e procesit të çmontimit, ku hyjnë investimi, kostoja e faktike e punës, metodat e përdorur dhe ndikimet në mjedis. Në këtë pikë prokuroria ngre dyshimin se për këtë kategori municionesh mund të jenë kryer abuzime në përcaktimin e çmimit. Një gjë e tillë pritet të vërtetohet ose hidhet poshtë në ditët në vazhdim, kur grupi hetimor të marrë në pyetje ekspertët që përcaktuan çmimin e municioneve që iu shitën kompanisë amerikane “SAC”.