Hetim anijes me lëndë kimike

Pesë kontenierë të ngarkuar me kimikate të rrezikshme në anijen Marti Pride janë objekt hetimi nga autoritetet franceze, italiane dhe shqiptare
DURRËS - Pesë kontenierë me lëndë kimike të rrezikshme që “do të zbarkonin” në Shqipëri përmes një anijeje turke, kanë vënë në alarm autoritetet italiane dhe ato franceze, të cilat kanë bllokuar mjetin lundrues dhe kanë nisur hetimet për kontenierët që ajo ka në bord. Avaria e një anijeje turke që pritej të mbërrinte këto ditë në portin e Durrësit, duket se ishte guri fatsjellës për Shqipërinë, pasi mjeti lundrues “Marti Pride” do të shkarkonte në Durrës një sasi lëndësh të rrezikshme, destinacioni dhe pritësi i së cilave nuk bëhet me dije për median. Fatmirësisht, prezenca e 5 kontenierëve me substanca kimike të tretshme në ujë që do të zbarkonin në vendin tonë, bëri që autoritetet italiane dhe ato franceze të nisin paralelisht hetimet, duke bllokuar mjetin lundrues. Anija ndodhet ende në Itali, pas avarisë që pësoi nga koha e keqe në 6 mars, rreth 1.5 milje nga bregu i Gallipoli. Ka gati një muaj që anija turke është bërë problem për kapiteneritë italiane të porteve dhe ato shqiptare, pasi në bordin e saj ndodhen 5 kontenierë që kanë substanca kimike të rrezikshme. Ekuipazhi i anijes kishte deklaruar se do të mbërrinte në Durrës në datat 10 ose 11 mars, ndërkohë që ajo kishte ngarkuar 153 kontenierë gjithsej, nga të cilët 140 bosh, 8 kontenierë me mallra jo të rrezikshme dhe 5 të tjerë me kavo çeliku, gjë që në fakt ka rezultuar se është e pavërtetë. Strukturat italiane morën menjëherë masa në kohën që anija tregtare turke pësoi avari teksa ngeci në cekëtinë, për faktin se substancat kimike të tretshme në ujë mund të derdheshin në det, duke shkaktuar ndotje. Megjithatë, nga burime të kapitenerësië së portit Durrës nuk është bërë ende me dije se për llogari të kujt do të vinte kjo sasi lëndësh e rrezikshme në Shqipëri. Anija “Marti Pride” para se të ngecte në cekëtinë, ishte nisur nga porti i Tarantos, ndërkohë që nisja fillestare e saj ka qenë nga Turqia, me destinacion portin e Tivarit në Mal të Zi, nëpërmjet kanalit të Otrantos, duke anashkaluar fillimisht portin e Durrësit. Nga ana tjetër, përsëri nga porti i Tivarit ka shkuar nëpërmjet kanalit të Otrantos drejt Italisë së jugut në Taranto, për të mbërritur me destinacion përfundimtar portin e Durrësit. Autoritetet italiane dhe ato franceze janë duke hetuar pikërisht për ngarkesën që ndodhet në 5 kontenierët me materiale të rrezikshme, të cilat janë kimikate të llojeve të ndryshme. Anija turke është prodhuar para 20 vitesh dhe ka kapacitet prej 2700 tonësh.