Ilir Meta kërcënohet me kallash

FIER - Takimi i kreut të LSI-së, Ilir Meta, në Fier, u mbyll dje me një incident, teksa një gazetashitës i irrituar kërcënoi se do të ndërmerrte ndonjë veprim tragjik me kallash, nëse nuk i jepej zgjidhje problemit të tij. Gjithçka ndodhi kur gazetashitësi Rexhep Behari i preu rrugën Ilir Metës, ndërsa ky i fundit ishte duke hipur në automjetin e tij. Behari kërkoi ndihmën e kreut të LSI-së, në lidhje me vendin e kioskës së tij të gazetave, ndërsa Meta u tregua i gatshëm të dëgjonte problemin në fjalë. Mësohet nga burime në vendngjarje, se gazetashitësi Rexhep Behari i tha Metës se, “për largimin e kioskës ku shisja gazeta, më keni thënë ju zoti Ilir Meta, që largojeni provizorisht, sepse kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, do t’ju vendosë në një vend tjetër. U bë më shumë se 8 muaj dhe ende nuk kam gjetur zgjidhje. Kryetari i Bashkisë Patos, Bardhi Meli, më dha një vend për kioskën, por vendi që ai zgjodhi nuk është i përshtatshëm për të shitur gazeta, pasi ndodhet në mes të një lagjeje të papopulluar, ndërkohë që kundërshtari ynë politik e ka kioskën me leje të Bardhi Melit në qendër të qytetit të Patosit”, tha gazetashitësi. Në këtë moment, Meta iu drejtua kryebashkiakut të Patosit që ndodhej me të, Bardhi Melit, i cili mban gjithashtu postin e kreut të LSI-së në Patos, për ta pyetur në lidhje me këtë çështje. Por pa pritur ende që situata të merrte drejtim, tepër i shqetësuar gazetashitësi tha i acaruar se “Meli nuk e dëgjon Ilir Metën dhe nuk u jep zgjidhje problemeve të komunitetit”. “Unë kam kallash, kam çifte. Nuk do kursej as katër fëmijët e mi për të kërkuar drejtësi. Do të vetëflijohem dhe ka shumë mundësi që me kallashin që kam, të ndërmarr edhe ndonjë veprim fatal”, tha Behari, në momentin që Meta iu drejtua automjetit të tij, në prani të shumë shoqëruesve nga Fieri dhe Tirana. Sapo kreu i LSI-së është larguar nga Fieri, kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, i është drejtuar Komisariatit të Policisë Fier, ku kreu një denoncim. Për pasojë, uniformat blu prangosën gazetashitësin, të cilin e shoqëruan në mjediset e Komisariatit të Policisë Fier. Historia e përplasjes mes kryebashkiakut të Patosit dhe gazetashitësit ka nisur që gushtin e vitit të shkuar, kur pas rikonstruksionit të bulevardit kryesor të qytetit të Patosit, bashkia vendosi të largojë kioskën e Rexhep Beharit. Ky i fundit ka kërcënuar shpeshherë me vetëflijim të tij dhe të familjes.