E Diel, 1 Nëntor 2026

Tryezë pa bukë

Të djathtët u ngritën përsëri të panginjur nga tryeza e tyre për zgjidhjen e ngërçit rreth reformës zgjedhore

Takimi i dytë i tryezës së partive të djathta sërish duket se nuk ka nxjerrë një zgjidhje të mundshme për aleatët edhe pse diskutimet kanë zgjatur pak më shumë se 2 orë. Në takimin me dyer të mbyllura, mësohet se debatet janë përqëndruar në të njëjtën pikë, në llogaritjen e votave të aleatëve. Sërish duket se kryeministri Sali Berisha nuk ka arritur që të japë një zgjidhje që mund të kënaqë aleatët. Pas përfundimit të takimit, asnjë prej krerëve të partive aleate nuk ka pranuar që të flasë për mediat, ndërsa kanë dalë me makinat e tyre nga kryeministria. I kontaktuar nga “Korrieri”, deputeti dhe kreu i PBLD, Arjan Starova e konfirmon që akoma nuk është dalë në një qëndrim të përbashkët të tryezës së djathtë dhe se akoma nuk është dhënë ndonjë zgjidhje përfundimtare. Diskutimet sipas tij janë përqëndruar në disa formula, por akoma nuk është përzgjedhur një prej tyre. Ndërkohë, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule e ka braktisur tryezën e djathtë rreth 45 minuta para se të përfundonte takimi ndërsa nuk ka pranuar që të japë ndonjë motiv rreth largimit të tij. Ndërkohë, pritet që bisedimet mes krerëve të partive dhe kryeministrit Berisha të vazhdojnë deri në përzgjedhjen e një formule që mund të kënaqë aleatët. Njëkohësisht, për gjetjen e kësaj formule po punon edhe një grup ekspertësh i përbërë nga përfaqësues të partive aleate dhe nga një përfaqësues i PD-së. Nga burime brenda mazhorancës mësojmë se një zgjidhje e mundshme mund të paraqitet në ditën e sotme. Kjo formulë e përgatitur nga disa deputetë të partive aleate jep si zgjidhje krijimin e koalicioneve rajonale dhe mbledhjen e votave të partive aleate në rajon. Burimet bëjnë të ditur për “Korrierin” se propozimi tashmë ka arritur në dorën e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi i cili mund t’ia paraqesë atë kryeministrit dhe aleatëve të djathtë si një zgjidhje të mundshme. Sipas këtij propozimi, partitë e vogla detyrohen që të bashkojnë votat e tyre me partinë e vogël aleate që ka marrë më shumë vota në atë rajon në mënyrë që të nxirret një deputet që do i përkasë atij rajoni. Ndërkohë, sipas propozimit, nëse dy partitë e mëdha, PD ose PS kanë “tepricë votash” ato vota atëhere do ti kalojnë partisë së vogël, aleate të tyren e cila ka marrë më shumë vota në atë rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›