Presidenti ngec tek Ligjet

Ndryshimi kushtetues që mundëson zgjedhjen e Presidentit të Republikës me shumicë të thjeshtë votash në Kuvend do të ridiskutohet sërish në komisionin parlamentar të ligjeve pasi disa anëtarë thanë se s’janë dakord me këtë pikë. Diskutimet lidhur mbi këtë çështje ishin ndër më të nxehtat e mbledhjes së djeshme të komisionit që zgjati deri në mbrëmje. Më së shumti propozimi i socialistëve dhe demokratëve firmëtarë u kundërshtua nga vetë deputetët e PD-së. Pal Dajçi, Dashnor Sula dhe Sali Shehu, që cilësohen edhe si mbështetës së kreut aktual të shtetit Bamir Topi, janë shprehur kundër propozimit të zgjedhjes së presidentit me shumicë të thjeshtë, duke kërkuar që kreu i shtetit të zgjidhet nga populli. I pari ishte Shehu që e cilësoi si tallje zgjedhjen e presidenti me 71 vota, çka siç u shpreh ai me ironi do të duhej të shoqërohej me uljen e kompetencave të presidentit. Ky i fundit kërkoi që kreu i shtetit të zgjidhej nga populli. Varianti i propozuar nga firmëtarët e mazhorancës parashikonte që presidenti të zgjidhej deri në 3 votime dhe nëse në dy të parët duhej shumicë e cilësuar me tri të pestat e votave atëherë në të tretin do të mjaftonte shumica e cilësuar. Pra 50% e gjithë deputetëve plus 1. Ashtu si Shehu edhe Pal Dajçi kërkoi zgjedhjen e presidentit nga populli. Anëtari tjetër demokrat i PD-së, Dashnor Sula i konsideroi fals 2 raundet e para të propozimit pasi presidenti do të zgjidhej në raundin e 3-të me shumicë të thjeshtë. Ai propozoi që pas dy raundeve, në të tretin të ishte sovrani popull që të vendoste. Por sipas, kryetarit të komisionit Fatos Beja, kjo mënyrë zgjedhjeje do të kërkonte detyrimisht rritjen e kompetencave të presidentit, ndërsa vendi ynë është Republikë Parlamentare. Krah tij ishte edhe nënkryetari socialist i Komisionit, Fatmir Xhafaj, që theksoi se thjeshtëzimi me 50% plus 1 do të zgjidhte ngërçin aktual të kushtetutës kur vendi do të duhet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq, Spiro Peçi, e quajti të pavend këtë zgjidhje duke nënvizuar se më problematik se zgjedhjet e parakohshme është fakti që sipas ndryshimit të ri, mazhoranca që është në pushtet në momentin e mbarimit të mandatit të presidentit, do të mund të zgjedhë pa frikë pasardhësin e tij. Falë debateve dhe propozimeve, që nuk mund të gjenin përkrahjen e shumicës, amendimi do të rishikohet edhe një herë nga relatorët për t’u rishqyrtuar në komision. Për t’u riparë nga relatorët u la edhe neni 65 i kushtetutës që lidhet me periudhën e zhvillimit të zgjedhjeve. Ndërkaq, vetëm me kundërshti të Sali Shehut, Dashnor Sulës, Pal Dajçit dhe Spiro Peçit u miratuan ndryshimi i nenit 88 të kushtetutës, që sanksionon se mandati i presidentit përfundon në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit të tij. Po ashtu procedura e zgjedhjes fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial. U la për rishikim sërish nga relatorët mundësia që kryeministri ti paraqesë mocion besimi Këshillit të Ministrave dhe nëse merr më pak vota se gjysma e anëtarëve të kuvendit atëhere brenda 48 orësh nga momenti i votimit, presidenti do të kërkonte shpërndarjen e kuvendit. Ndërkaq, ndryshimi i nenit 105 që lidhet me mosbesimin ndaj kryeministrit u miratua. Sipas ndryshimit, 1 e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë mocion mosbesimi ndaj kryeministrit duke propozuar një kryeministër të ri. U miratua me 4 abstenime të socialistëve përcaktimi i mandatit 5-vjeçar të prokurorit të përgjithshëm. Me kundërshtinë e Peçit, Klosit e Dervishit, u shfuqizuar neni kushtetues, për Komisionin Qendror të Zgjedhjve. Qënia ose jo e KQZ-së, përbërja dhe detajet e tjera, do të përcaktohen në Kodin Zgjedhor. Në mbledhjen e radhës relatorët do të duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të saktësojnë çështjet që u lanë pa votuar, ndër të cilat edhe mendimi për zgjedhjen e presidentit dhe mocionit të besimit të kryeministrit. saqellari@korrieri.com