E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta në Austri i gëzohet rezultatit

Autori i Lajmit: red.
Udhëheqësit e dy partive të ekstremit të djathtë në Austri kanë shprehur kënaqësi me rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Të dy partitë në këto zgjedhje e dyfishuan numrin e votave të marra në krahasim me zgjedhjet e vitit 2006. Partia e Lirisë dhe Aleanca për të Ardhmen e Austrisë morën rreth 29 për qind të votave, sipas rezultateve paraprake. Zgjedhjet u fituan nga Socialdemokratët, që morën 30 për qind të votave. Por ata dhe Partia konservatore e Popullit, me 26 për qind të votave, shënuan rezultatin më të dobët në zgjedhje që nga viti 1945. Ekspertët thonë se është e vështirë që me këto rezultate, të parashikohet përbërja e qeverisë së re të vendit. Në zgjedhjet e së dielës u votua për 183 vende në Parlament. Zgjedhjet e parakohshme u thirrën pasi koalicioni mes Socialdemokratëve dhe Partisë së Popullit, ra në verë si pasojë e mosmarrëveshjeve dhe zënkave.
"Sot ne jemi fituesit e natës së zgjedhjeve," - tha udhëheqësi i Partisë së Lirisë, Heinz-Christian Strache. Joerg Heider, udhëheqësi i Aleancës për të Ardhmen e Austrisë, i tha BBC-së se si Socialdemokratët, ashtu dhe Partia e Popullit, tani ishin në "situatë të vështirë". Ai parashikoi se bisedimet mes tyre për formimin e qeverisë do të dështonin. Për këtë arsye, tha ai, pas bisedimeve mes këtyre dy partive "ne do ta kemi mundësinë të negociojmë qeverinë e re". Partia e Lirisë fitoi 18.01 për qind të votave, sipas rezultateve paraprake zyrtare. Aleanca për të Ardhmen e Austrisë, që u shkëput nga partia e Sprache në vitin 2005, kishte marrë 10.98 për qind.

Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›