E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli diskuton çështjen e imunitetit me USAID dhe Uithers

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, priti dje në takim drejtoren e re të USAID-it, Roberta Mahoney, ku mori pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uithers II. Pasi i uroi zonjës Mahoney suksese në detyrën e re, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer të insitucioneve shqiptare me USAID-in. Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gjithë mbështetjen e dhënë në forcimin e demokracisë dhe në rrugën e anëtarësimit në NATO. “Ratifikimi në një kohë rekord i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga Senati amerikan, siç edhe theksohej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, erdhi si rezultat i një progresi të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë vitet e fundit”, - tha Topalli. Duke u ndalur në hapat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit dhe raportin e fundit të Transparency International, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se është e jashtëzakonshme që Shqipëria u rendit në dhjetë vendet e para për suksesin më të madh për vitin 2008 në luftën kundër korrupsionit. Në takim u diskutua edhe rreth çështjes së heqjes së imunitetit. Krahas partneritetit për luftën ndaj korrupsionit, implementimit të legjislacionit, etj, Kryetarja e Kuvendit propozoi një bashkëpunim ndërmjet USAID-it dhe Kuvendit të Shqipërisë, veçanërisht në rritjen e rolit mbikëqyrës të Parlamentit.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›