E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “Imuniteti, jo jorgan për të mbuluar korrupsionin”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Lufta kundër korrupsionit dhe raportet ndërkombëtare për arritjet e Shqipërisë në këtë drejtim kanë sjellë përsëri reagimin e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Seanca e djeshme plenare është përfshirë nga deklarata dhe kundërdeklarata për këtë çështje. Zëvendëskryeministri Genc Pollo pohoi në Kuvend se opozita duhet të reagojë dhe të pranojë zhvillimet pozitive në vend. Gjatë minutave të debatit të lirë parlamentar, zëvendëskryeministri Pollo u përqëndrua tek ngjarjet e fundit të rëndësishme për Shqipërinë si ratifikimi i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga ana e Senatit Amerikan, të cilin e vlerësoi një zhvillim historik në drejtimin e duhur dhe që lidhet me ngjalljen e besimit të aleatëve tanë për përmbushjen e standardeve për anëtarësimin e plotë në Aleancë. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kërkoi në seancën e pasdites së djeshme edhe konsensusin e opozitës për reformat e mëdha në vend. Ai theksoi se lufta antikorrupsion do të ishte më e suksesshme, nëse vullnetin për reformat e mëdha do ta kishte jo vetëm pushteti ekzekutiv dhe pushteti legjislativ, por edhe fryma e rakorduar e bashkëpunimit në Kuvend për këto reforma, që janë në dobi të qytetarëve. Por për kryetaren e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj. Kryeministri ka dështuar në kartën antikorrupsion. Sipas saj, Berisha është kapur pas raportit të TIA-s, por bën sikur harron raportin e FMN. Lidhur me Reformën në Drejtësi, Leskaj pohoi se PS është gati të ndryshojë Kushtetutën për heqjen e imunitetit, me qëllim që ai mos përdoret më si jorgan për të mbuluar korrupsionin.
Mazhoranca
“Reformat e mëdha në vend kanë nevojë për moralitetin dhe konsensusin e të gjitha palëve në Parlament. Lufta antikorrupsion do të ishte më e suksesshme, nëse vullnetin për reformat e mëdha do ta kishte jo vetëm pushteti ekzekutiv dhe pushteti legjislativ, por edhe fryma e rakorduar e bashkëpunimit në Kuvend për këto reforma, që janë në dobi të qytetarëve”, - tha ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sipas tij, mazhoranca merr guximin për iniciativa legjislative rigoroze e kurajoze për të luftuar korrupsionin, por një pjesë e deputetëve nuk ofrojnë as më të voglën ndihmë për këtë. “Jemi në një situatë që për çdo lloj reforme për sistemet e pavarura nuk kemi sjelljen e një vendi që është në prag të anëtarësimit në NATO, por kemi vetëm pengesa. Reformat e mëdha do të bëhen nga ky Parlament dhe ato kanë nevojë për moralitet, të cilin ia japin së bashku të gjithë deputetët e kësaj salle”, - u shpreh Alibeaj.
Opozita
Por nuk është e këtij mendimi kryetarja e deputetëve socialistë. Leskaj pasi ka përshëndetur miratimin nga Senati Amerikan, të protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, që përbën një ngjarje historike për vendin, tha se ky vendim duhet lexuar së pari si angazhim e përgjegjësi për të arritur ato vlera e standarde që ka kjo bashkësi. “Politikës shqiptare do t i duhet të demonstrojë pjekuri, do t i duhet të demonstrojë aftësi për t i mbajtur këto përgjegjësi. Pas kësaj, si shumë shqiptarë edhe unë prisja dje që Kryeministri të dilte të adresonte këto përgjegjësi të cilat bëhen të qarta edhe në deklaratën e Daniel Fried, para Senatit, i cili duke iu referuar në mënyrë specifike Shqipërisë, tha se "Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë totale që të tregojë se askush nuk është mbi ligjin. Vendet të vazhdojnë reformat në vend që t i abandonojnë ato dhe kjo veçanërisht për Shqipërinë". Senatori Kardin, bashkëkryetar i Komitetit të Helsinkit tha se ka shqetësime për krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Natyrisht, Kryeministri nuk mund ta bënte këtë, sepse kishte tjetër hall, të ndryshëm nga ai i NATO-s, ka hallin e dështimit të kartës antikorrupsion, ka hallin e Gërdecit që, pasi e quajti aksident teknologjik tani e quajti pakujdesi të tmerrshme , - tha Leskaj. Por ajo shtoi se Kryeministri është kapur pas raportit të TI, që këtë vit e rendit gjysmë pike më lart Shqipërinë dhe bën sikur harron raportin e FMN-së. Pse harron ose bën sikur e harron raportin e IDR-USAID, që sjell fakte për rritje të korrupsionit, pse harron raporte të tjera si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit, i CIA-s, i OKB apo deklarata të tjera mbi korrupsionin, trafiqet dhe krimin e organizuar, tha Leskaj duke iu drejtuar deputetëve.
Lidhur me thirrjet e Berishës për të pastruar drejtësinë, Leskaj tha se mënyra si po operohet me Reformën në Drejtësi ku po kalohet nga një përqasje e një reforme integrale, bazuar në nevojat e sistemit, në një ndërhyrje sipas interesave të momentit apo nevojave presioniste të Qeverisë, nuk garanton reformimin po deformon sistemin, kufizon liritë dhe mandatet e institucioneve kushtetuese në dëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
“Gjithsesi, ne kemi bërë një gjest dhe jemi gati të ndryshojmë edhe Kushtetutën, qoftë edhe që ju të mos e përdorni më çështjen imunitetit si jorgan për të mbuluar korrupsionin e imunitarëve tuaj në Qeveri”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›