E djathta rivoton amnistinë - PS mban bllokadën kundër biznesit

Në mungesë të votave të opozitës, Kuvendi riaktivizon ligjin për faljen fiskale
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje dje opozitës, të votojë në Kuvend ligjin për amnistinë fiskale, pasi sipas tij, “ky është një hap i shumëpritur nga biznesi”. Gjatë seancës së jashtëzakonshme plenare, ku përveç miratimit të tre ligjeve të integrimit është në rend të ditës edhe ligji për amnistinë fiskale, Kryeministri kërkoi që opozita të votojë këtë ligj dhe të korrigjojë atë që nuk e bëri kur u votua amnistia me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. “Votoni amnistinë si një akt madhor dhe ne e mbyllim këtë seancë me vendime shumë të rëndësishme. Nuk keni asnjë shkak të refuzoni ligjin e amnistisë. Çfarë mund tu thoni bizneseve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që kanë punësuar qindra mijëra vetë, pse nuk votoni amnistinë. Si mund të vini me paragjykime ndaj këtij ligji, ndërkohë që premtoni heqjen e gjobave për biznesin”, tha Berisha.
Ai ftoi opozitën që të vendoset në nivelin e parlamentarëve të vendeve evropiane, ku shteti ndëshkon, por dhe fal. Në këtë drejtim, Kryeministri i bëri thirrje opozitës që të marrë të gjithë kohën e nevojshme për të bërë mbledhje grupi parlamentar apo konsulta me aleatët, por ta votojë këtë ligj në Kuvend. Siç edhe pritej, opozita u shpreh kundër kësaj nisme, ndërsa parlamenti u detyrua të riaktivizojë ligjin për faljen fiskale, deri në fund të vitit. Vetëm me votat e mazhorancës, ligji ka rihyrë në fuqi dhe do të ketë afat deri në 31 dhjetor të këtij viti. Ligji parashikon faljen e borxheve që bizneset i kanë shtetit sipas disa tarifave të përcaktuara. Për borxhet deri në vitin 2009, biznesi paguan vetëm 30 për qind të detyrimit dhe pjesa tjetër së bashku me gjobat falet. Për ato të vitit 2010, paguhet 50 për qind e detyrimit. Ligji i jep mundësi sipërmarrësve të legalizojnë edhe asetet e paluajtshme duke paguar një tarifë 3% të diferencës së mes çmimit të deklaruar dhe çmimit real. Për rivlerësimin e makineri pajisjeve që janë deklaruar me çmime më të ulta tarifa është 5%. Për ata individë apo biznese që duan të legalizojnë kapitale të padeklaruara që burojnë nga evazioni apo rrugë të tjera shteti do të marrë 3 për qind të shumës. Ligji parashikon edhe faljen e një sërë detyrimesh të tjera, por ajo bëhet automatikisht nga administrata. Ligji për amnistinë fiskale ka qenë në fuqi, për më shumë se një vit në periudhën 2011-2012.