E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta, shumicën edhe në KRRT

Shumica e djathtë në Këshillin Bashkiak të Durrësit ka hedhur poshtë me votim tri emrat e propozuar nga e majta dhe kryebashkiaku Dako si anëtarë të KRRT-së bashkiake. Pavarësisht se është strukturë teknike, zgjedhjet e fundit e shndërrojnë KRRT-në e Durrësit në një organ politik, që sipas kryekëshilltarit demokrat, Seit Kërtusha, bëhet për t‘u vënë fre ndërtimeve të shfrenuara në qytet. Tre anëtarët e mëparshëm që zgjidhen nga ky këshill u kërkuan nga e djathta të ndryshohen pa dhënë ndonjë motivacion për largimin e tre të mëparshmëve. Ndërsa PD propozoi emrat e Ardian Mukës dhe Mimoza Hysës, LSI bëri propozimin e tretë për Ardian Zhamon. Kundrejt këtyre tri emrave, kryetari i Bashkisë së Durrësit, të cilit këshilltarët socialistë i deleguan të drejtën, propozoi arkitektët e mirënjohur Hajdar Kovaçi, Erka Jorgo dhe inxhinierin Agim Koçi. Votimi nxori fitues emrat e propozuar nga e djathta, pavarësisht nivelit profesional dhe faktit se dy prej emrave të Dakos i përkasin së djathtës, madje Kovaçi është dhe një nga figurat më të njohura të PD-së në Durrës. Vendimi ka qenë politik dhe synon oponencën e fortë brenda KRRT-së, nga mosfunksionimi i së cilës, periudhën e fundit janë grumbulluar rreth 150 aplikime për leje sheshesh e ndërtimi që presin të shqyrtohen.

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›