E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëdhëniet SHBA-Serbi drejt zbutjes

Pas ministrit të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, i cili në fillim të këtij muaji shkoi për vizitë në SHBA, që dje në Uashington ndodhet për vizitë ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, i cili është parashikuar që, midis të tjerave, të takohet dhe të zhvillojë bisedime me sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Hillari Klinton, për marrëdhëniet dypalëshe dhe gjendjen aktuale në rajonin e Ballkanit. Rrugës për në Uashington, shefi i diplomacisë serbe ndaloi në Sarajevë, ku u takua me ministrat e Jashtëm të Bosnjë-Hercegovinës, Sven Allkallaj, dhe atë të Turqisë, Ahmet Davutogllu, që ndodhej për vizitë në atë vend. Lidhur me atë që ministri i Jashtëm serb kaloi në Sarajevë rrugës për në Uashington, përfaqësues të qeverisë serbe, sikurse vinte në dukje dje (15 dhjetor) gazeta e përditshme serbe "Politika", nxituan të deklaronin se kjo nuk do të thotë se SHBA kanë ushtruar presion mbi Serbinë që kjo e fundit "ta qetësojë" dhe ta bindë Republikën Srpska, pra që kreu i saj, Millorad Dodik, t‘i pranojë reformat kushtetuese, për të cilat ngul këmbë Federata e Bosnjë-Hercegovinës dhe për të cilat kjo e fundit ka mbështetjen e SHBA-së dhe të Bashkimit Europian, por që kundërshtohen me forcë nga Dodiku që konsideron se ato (reformat) cenojnë autonominë e Republikës Srpska. "Pavarësisht nga problemet që kemi me disa nga vendet fqinje me ne, ne kemi arritur ta prezantojmë veten si motor në këtë rajon në fushën e integrimeve europiane dhe të stabilizimit të përgjithshëm të gjendjes në rajon; sidomos kjo ka të bëjë me Bosnjë-Hercegovinën. Nga neve pritet që të ndihmojnë proceset që do të stabilizonin fqinjin tonë të drejtpërdrejtë. Ne do ta bëjmë këtë në atë mënyrë dhe masë që askush të mos na akuzojë për ndërhyrje në punët e brendshme të atij vendi. Rruga që ndërmori ministri i Jashtëm, Jeremiç, duke kaluar përmes Sarajevës, është në një farë mase konfirmim i këtyre përpjekjeve, ndërkohë që edhe SHBA janë të interesuara të konsultohen me një nga vendet lider të rajonit", citon gazeta e lartpërmendur serbe një zyrtar të lartë të qeverisë së Serbisë, që theksoi më tej se, "meqë Uashingtoni përbën një nga shtyllat e politikës sonë të jashtme, ne përpiqemi që të vendosim në të gjitha fushat marrëdhënie sa më të mira, me përjashtim të çështjes së Kosovës, e cila na ndan dhe e cila nuk duhet të lihet mënjanë në marrëdhëniet tona të ndërsjella. Në mënyrë të veçantë, dua të theksoj bashkëpunimin e vendosur mes nesh në fushat e ekonomisë, mbrojtjes, kulturës, komunikacionit, ku ne presim ndihma serioze", theksoi qeveritari serb. Sidoqoftë, analistët politikë serbë nuk janë aq optimistë sa edhe zyrtarët qeveritarë serbë. Analisti Ivan Vujaçiç, ish-ambasador i Serbisë në Uashington, konsideron se qëndrimet e ndryshme ndaj çështjes së Kosovës nuk janë aspak një problem i vogël në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së. Ai, me këtë rast, kujtoi se nënpresidenti i SHBA-së, Xhozef Bajden, erdhi kohët e fundit për vizitë në Beograd në kuadrin e një turneu në rajon dhe jo posaçërisht në Serbi.

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›