E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR reduktohet me 4500 trupa nga janari

NATO-ja tha se aleanca në janar do t‘i reduktojë për 4500 forcat në Kosovë për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend. Komandanti i NATO-s për Europën Juglindore, admirali Mark Ficxherald, deklaroi në Beograd se NATO-ja do të mbajë 10 mijë trupa në Kosovë dhe shtoi se mund të ketë reduktime të mëtejme.

Ai tha se forca e policisë së Kosovës dhe 2500 punonjësit e policisë dhe drejtësisë të Bashkimit Europian, gradualisht do të marrin përgjegjësitë nga paqeruajtësit e NATO-s. "Ne kemi 28 baza në Kosovë dhe presim t‘i reduktojmë në 18 baza në janar dhe shkurt. Duke i liruar disa trupa tona atje, ato do të mund të përdoren për misione tjera", tha Ficxherald, duke lavdëruar marrëdhëniet e Serbisë me aleancën. Ministrat e Mbrojtjes së NAT0-s kanë rënë dakord që gradualisht të fillojë përshtatja e prezencës së forcave të KFOR-it, duke marrë parasysh përparimin serioz në situatën e sigurisë në Kosovës dhe detyrimet tona operative në rritje në vendet e tjera", ka deklaruar ministri çek i Mbrojtjes, Martin Bartak, duke shtuar se këtë vendim aleatët e kanë marrë në mënyrë kolektive. Por, ai ka theksuar se në këtë proces nuk do të ketë automatizëm, por se Këshilli Veriatlantik do të marrë vendimin për dinamikën e reduktimit të KFOR-it në përputhje me kushtet e sigurisë. "NATO do të mbetet përgjegjëse për sigurinë e mjedisit në Kosovë dhe do të mbetet në Kosovë në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB aq sa do të jetë e domosdoshme dhe gjithnjë derisa Këshilli i Sigurimit nuk vendos ndryshe", ka thënë Bartak në një intervistë për gazetën "Politika". Duke folur për konfliktet midis shqiptarëve dhe serbëve, ministri çek tha se duhet bërë dallime ndërmjet kriminalitetit dhe dhunës ndëretnike. "Në këtë aspekt, goxha jemi të sigurt se mundësia e dhunës ndëretnike po bie dhe shpresojmë që ky trend të vazhdojë", tha Bartak

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›