Republika e Malavit njohu shtetin e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, është njoftuar dje, me një notë verbale, e cila është përcjellë nga misioni i përhershëm i Republikës së Malavit në OKB përmes Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, se Republika e Malavit, më 14 dhjetor 2009 e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Në notën verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malavit po ashtu theksohet se, në vijim do të ketë këmbim të mëtejmë formal midis ministres së Punëve të Jashtme të Malavit, Eta E. Banda dhe ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, në pajtim me aktin e njohjes. Republika e Malavit është shteti i 64-t që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe gjendet në Afrikën Jugore.