Kompjuterët e të pasurve që helmojnë fëmijët e të varfërve
Sipas Biblës, Zoti hodhi nga qielli zjarr për të shkatërruar qytetet e Sodomit dhe Gomorrës. "Sodoma dhe Gomorra" janë dy fjalë me të cilat zyrtarët në Akra, të Ghanës, kanë nisur të quajnë një pjesë të qytetit të tyre të mbytur nga toksinat e të gjitha llojeve, madje të sasive të tilla shumë më të mëdha se në rastin e përmendur në Bibël. Në këto zona askush nuk vë këmbë, nëse nuk është shumë i detyruar për ta bërë një gjë të tillë. Një tym i zi del vazhdimisht nga oxhaqet e kolibeve të zonave problematike, brenda të cilave mbijetojnë qeniet e gjalla që quhen njerëz. Lumi gjithashtu është i zi dhe i trashë si të ishte vaj dhe nëpër të lundrojnë kaska kompjuterësh që dalëngadalë shkojnë drejt oqeanit. Shpesh këto elemente digjen brigjeve të lumit dhe era e këtyre djegieve që mbartin toksina vrastare mbulon gjithë zonat e banuara. Të marrësh frymë aty është një dhimbje e madhe, por e vetmja zgjedhje jete për banorët e zonës. Pikërisht ky cep i humbur dhe i vuajtur i botës është destinacioni përfundimtar për një pjesë të madhe të kompjuterëve të dalë jashtë përdorimit nga e gjithë bota. Në fakt, në planet ka shumë cepa të tillë, jo domosdoshmërish në Ghana. Kështu mund të përmendim Nigerinë, Vietnamin, Indinë, Kinën dhe Filipinet. Dhe ajo çka është me të vërtetë e trishtueshme, është se janë pikërisht fëmijët ata që merren me mbartjen dhe djegien e ngarkesave të mbetjeve elektronike. Bëhet fjala për mijëra fëmijë në të gjithë botën që e kryejnë këtë punë në këmbim të një cope buke për të mbajtur frymën gjallë. Janë fëmijë që jetojnë në mesin e plehrave ndër të toksiket dhe kjo në epokën e internetit. Fundi i tyre është i sigurt e i shpejtë dhe sigurisht shumë i trishtuar. Pjesa më e madhe e tyre nuk i kalojnë të 20-at, sepse toksinat ua shkatërrojnë organizmin në mënyrë të pariparueshme. Detyra e tyre është që të shkatërrojnë dhe të bëjnë copash kompjuterët e pajisjet e tjera elektronike, në mënyrë që të bëhet më e lehtë transportimi dhe djegia e tyre. Kompjuterët përmbajnë sasi shumë të madhe metalesh helmuese dhe plastike, të cilat kur digjen shkaktojnë një tym vdekjeprurës e kancerogjen. Me pak fjalë, kompjuterët e të pasurve shkatërrojnë fëmijët e të varfërve. Sipas një vlerësimi të Kombeve të Bashkuara, rreth 50 milionë tonë mbetjesh elektronike hidhen çdo vit në këto pika të humbura të planetit për t‘u shkatërruar dhe djegur. Në një vend perëndimor, kostoja e çmontimit dhe shkatërrimit të një kompjuteri që ka dalë jashtë përdorimit është 3.5 euro, ndërsa kostoja e dërgimit të këtyre mbetjeve nëpër ferret e Afrikës është vetëm 1.5 euro. Pra, si gjithmonë, paraja vazhdon të vrasë. Një marrëveshje ndërkombëtare, Konventa e Bazelit, hyri në fuqi në vitin 1989. Marrëveshja duket e mirë në koncept, sepse në thelb i ndalon vendet e zhvilluara që të dërgojnë në mënyrë të paautorizuar mbetje elektronike për t‘u shkatërruar në vendet e pazhvilluara. Këtë konventë e kanë nënshkruar 172 vende, por ndërkohë tri nga këto vende nuk e kanë ratifikuar kurrë dhe ata janë Haiti, Afganistani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas një vlerësimi nga Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, rreth 40 milionë kompjuterë dalin jashtë përdorimit çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shumë vende të Europës, dërgimi i paligjshëm i mbetjeve të tilla në Afrikë për djegie do të thotë burg për ata që e kryejnë një veprimtari të tillë. Teorikisht gjithçka duket perfekte, por praktika shpesh flet me një tjetër gjuhë, sidomos kur bëhet fjalë për një biznes miliona dollarësh. Kështu, pavarësisht konventës, portet e mëdha të Europës, si ai i Hamburgut, Roterdamit e të tjerë janë dëshmitarë të një tjetër realiteti. Kështu, nëpër terminalet portuale ka shumë kontejnerë që nisen për në Afrikë. Sigurisht që kompanitë e mëdha i mbulojnë këto dërgesa me një veshje ligjore, si dërgesa për shitje të mallrave të përdorur, që jo rrallë janë në fakt pajisje elektronike për t‘u djegur.
Le të rikthehemi te fëmijët. Të gjithë ata që merren me një punë të tillë e kanë shumë të qartë që kompjuterët e çfarëdo lloji, qofshin 10 apo 20-vjeçarë, vijnë një erë shumë të keqe kur digjen. Kjo, pavarësisht nga marka "Dell", "Apple", IBM, apo "Siemens". Kur ato digjen, tymi të djeg fytin dhe të shkakton dhimbje të mëdha koke dhe mjafton një puhizë e lehtë që hiri i mbetur të depërtojë në të gjitha poret e trupit dhe të shkaktojë kruarje e djegie. Kështu, pak nga pak në fytyrat e fëmijëve nisin të shfaqen njolla dhe puçrra që me kalimin e mohës shndërrohen në plagë. Të gjithë ata që merren me këtë punë e dinë që kur marrin në dorë kompjuterin e parë njëherazi po nisin edhe udhëtimin drejt ferrit dhe ky udhëtim shpesh nis në një moshë shumë të njomë 9 ose 10-vjeçare. Por kjo punë përbën për shumë fëmijë të varfër nga i gjithë vendi punën e vetme për të mbajtur frymën gjallë. Ata vijnë në Akra nga fshatra e zona aq të varfra e të prapambetura sa kur u jepet një mundësi e tillë e konsiderojnë si fatin e jetës. Janë zona ku nuk ekziston as uji i pijshëm dhe as elektriciteti dhe shtëpitë janë prej balte. Shpesh fëmijët braktisen nga prindërit e sëmurë, të pamundur, apo që marrin arratinë. Kjo ka bërë që numri i jetimëve të rritet jashtë mase dhe bashkë me të edhe mizerja e varfëria. Një pjesë e jetimëve vdesin, duke e pasur të pamundur të mbajnë frymën gjallë, ndërsa të tjerë shkojnë e shndërrohen në skllevër për një copë bukë. Ata që mbijetojnë nuk kanë shumë pretendime, thjesht japin forcën dhe rininë e tyre për të mbajtur frymën gjallë. Një nga punët është pikërisht ajo e prishjes dhe djegies së kompjuterëve në Akra. Rregullat "e lojës" mësohen shpejt. Edhe aty si në çdo punë ka një hierarki dhe çdo djalë duhet ta ketë të qartë pozicionin. Burrat 25-vjeçarë kontrollojnë dasitë e mëdha të mbetjeve dhe zakonisht qëndrojnë aty ku vijnë kamionët me ngarkesën e tyre. Pastaj ua shpërndajnë fëmijëve që fillimisht nisin t‘i copëtojnë e më pas t‘i mbledhin në qese të zeza për t‘u vënë zjarrin buzë lumit. Për këtë punë fëmijët marrin maksimumi 1 euro në ditë. Punën më të vështirë e bëjnë fëmijët më të vegjël, të cilët paguhen edhe më pak. Pasi kanë mbaruar ditën e punës, fëmijët dhe adoleshentët zakonisht shkojnë për të fjetur nëpër ca kapanone prej dërrase në afërsi të vendeve ku zbarkojnë makinat, në mënyrë që në mëngjes të jenë sërish në punë. Janë kapanone pa dritare me dhoma të vogla e të mbipopulluara. Fëmijët nuk kanë as kohë as dëshirë të shoqërizohen me njëri-tjetrin. Vetëm punojnë e flenë dhe më të shumtën e kohës janë të trishtuar. Një pjesë e fëmijëve janë jetimë, ndërsa të tjerët punojnë për të siguruar bukën për pjesëtarët e tjerë të familjes që nuk mund të punojnë. Shpesh ata kanë edhe dhimbje në mushkëri e nuk kanë asnjë shans për të marrë mjekime, pasi ato janë të shtrenjta dhe puna që bëjnë u jep mundësinë vetëm për të ngrënë një copë bukë. Kushtet e punës vështirësohen më shumë nga temperaturat e larta e të nxehtit përvëlues. Një ditë, vitin e kaluar, në këtë ferr të vërtetë mbërriti një grup njerëzish të bardhë, një gjë e jashtëzakonshme kjo për atë vend. Ata ishin nga ‘Greenpeace‘ dhe kishin ardhur për të marrë teste nga pika të ndryshme të zonës. Testet u çuan në laboratorët e Perëndimit dhe rezultatet e tyre ishin jashtëzakonisht të këqija. Sipas tyre, ambienti dhe njerëzit që gjallonin në të ishin dëmtuar në mënyrë të parikthyeshme. Veçanërisht sasia e plumbit ishte jashtëzakonisht e madhe. Plumbi dëmton pak nga pak sistemin e qarkullimit të gjakut, atë nervor, veçanërisht trurin. Kur një sasi e madhe merret përmes ujit, apo ajrit, truri nis të shkrijë gradualisht e të shndërrohet në një masë të lëngësht e të qullët dhe si pasojë njeriu kthehet në një qenie të mjerë e të paaftë për të mbijetuar. Ndërkohë që u gjetën edhe substanca të tjera që shkaktojnë kancer. Nëpër fushat e brigjeve të lumit vazhdojnë të enden fëmijë të sëmurë, jetë të shndërruara në burime marramendëse fitimi për ata që shkelin ligjet dhe që e konsiderojnë jetën njerëzore mjet për t‘u majmur financiarisht. Por, edhe në këtë ferr ku ka vetëm vuajtje, qëllon ndonjëherë që djemtë të kalojnë çaste gëzimi, si në rastin kur vendosin që të bëjnë ndonjë ndeshje futbolli, apo të ulen mbrëmjeve pranë zjarrit për të shkëmbyer ndonjë bisedë për të ardhmen, që fatkeqësisht për ta nuk pritet të jetë më e mirë se e tashmja.