E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimi amerikan nxit debate në Athinë

SHBA rekomandon që emërtimi "Republika e Maqedonisë Veriore" të jetë zgjidhja e mosmarrëveshjes shumëvjeçare për emrin mes Shkupit dhe Athinës, kurse termi "maqedonas" të shërbejë për përcaktimin e identitetit dhe të gjuhës së saj (Maqedonisë)". Kështu vinte në dukje, gazeta e përditshme greke "Elefterotipia", e cila në një tekst të vetin me titull "Amerikanët po përgatisin kurth për emrin e FYROM-it". Kësaj gazete iu referuan të gjitha gazetat kryesore në Maqedoni. Gazeta greke, duke iu referuar diplomatëve të lartë amerikanë, të cilët ajo nuk i përmend me emër, shkruan se administrata e Presidentit Barak Obama, përmes të dërguarit special të OKB-së, Metju Nimiç, po ushtron presion ndaj Shkupit dhe Athinës që ata, më në fund, ta zgjidhin mosmarrëveshjen për emrin që do të hapte rrugën edhe për hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe, më vonë, edhe në BE. Sipas gazetës greke, plani amerikan parashikon që emërtimi i ri "Republika e Maqedonisë Veriore" të miratohet në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që gjithashtu do të rekomandonte që këtë emër ta përdornin të gjitha vendet anëtare të OKB-së në marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë. Për çështjen e identitetit dhe të gjuhës, sipas planit të lartpërmendur amerikan, është parashikuar një zgjidhje në "sordinë" (me zë të ulët), konkretisht që përcaktimi i tyre si "maqedonas" të shënohet në regjistrin e OKB-së, pa qenë e nevojshme marrja paraprake për këtë përcaktim të lejes nga ana e Greqisë. Athina, praktikisht, as që do të mund ta pengonte këtë, shkruan "Elefterotipia", duke theksuar se administrata e re amerikane, duke mësuar nga gabimet e administratës së kaluar, është e vendosur të ndryshojë taktikë dhe ka planifikuar t‘i hedhë poshtë argumentet greke para samiteve të NATO-s dhe të BE-së që janë planifikuar të zhvillohen gjatë vitit 2010. Ajo (gazeta) kujton se Uashingtoni ushtroi një presion të fortë mbi Greqinë edhe gjatë kohës së Samitit të NATO-s në Bukuresht, por se, megjithatë, kompromisi nuk u arrit dhe kështu Athina vuri veton për pranimin e Maqedonisë në Aleancën e Veriut.

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›