E Shtunë, 31 Tetor 2026

E do Shqipërinë

Ish futbollisti i Liverpoolit, Besian Idrizaj është shprehur i gatshëm ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Këtë dëshirë sulmuesi kosovar ua ka shprehur drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Në Federatën e Futbollit do të zhvillohet një bisedë ndërmjet krerëve të këtij institucioni dhe njerëzve që kanë hyrë si ndërmjetës, që kjo dëshirë e sulmuesit të Swansea Cityt të realizohet sa më shpejt.

“Sulmuesi ende nuk ka komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarët e FSHF-së apo me trajnerin Kuzhe, por ia ka komunikuar një fakt të tillë personave që kanë kontakte të forta në “qeverinë” e futbollit”, i ka thënë një burim gazetës së përditshme shqiptare Shqip.

Në anën tjetër nuk përjashtohet mundësia që 22 vjeçari të ftohet në ekipin kuqezi për dy ndeshjet miqësore kundër Malit të Zi (25 maj) dhe Andorrës (2 qershor).

Idrizaj ka nënshtetësi austriake, derisa në vitin 2007 ka debutuar me përfaqësueses U-21 të këtij vendi, ku ka zhvilluar 12 ndeshje. Pasi është paraqitur vetëm me shpresat austriake, ai ka të drejtë të luajë me Kombëtaren A të Shqipërisë.

Idrizaj kishte bërë emër në vitin 2008 kur nga skuadra austriake LASK Linz u transferua në akademinë e Liverpoolit. Mirëpo, aty nuk shkoi gjithçka mirë. Ai u huazua në disa klube angleze dhe austriake, ku nuk arrit ta gjejë vetën.

Një kohë ka pushuar nga loja e futbollit pasi ka pasur disa probleme kardiake. Por, tashmë ai e ka marrë vetën. Në verë të vitit 2009, Idrizaj u transferua te Swansea City, ku ka filluar t’i kthehet formës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›