E do të ardhmen demokratike? Voto!
Këto ditë, në “Washington Post”, Shankar Vedantam tregon për një eksperiment mjaft interesant lidhur me sjelljen e njerëzve ndaj votimeve. Eksperimenti u krye nga tre studiues politologë, Alan Gerber, Donald Grin dhe Kristofer Larimer. Ata morën një listë prej 180,000 votuesish në Miçigan, SHBA. Një grup prej 99,999 votuesish u la mënjanë si një grup kontrolli. Kur erdhën zgjedhjet, njerëzit e këtij grupi votuan ashtu si zakonisht. Pjesa tjetër e listës u nda në katër grupe. Anëtarët e grupit të parë morën nga një letër secili 11 ditë përpara një zgjedhjeje të 2006 që u bënte thirrje atyre të votonin, sepse kjo ishte detyra e tyre qytetare. Anëtarët e një grupi të dytë morën secili nga një letër që thoshte se shkencëtarët po studionin sjelljet e tyre votuese. Letra thoshte: “Ju po studioheni.” Anëtarët e grupit të tretë morën gjithashtu secili nga një letër, ku tregohej se, derisa vota e gjithsecilit hyn në të dhënat publike, emri i tyre figuron në listat e atyre që kanë votuar (pa ditur se për kë kanë votuar). Pra, atyre iu thuhej, nëse kishin votuar apo jo në zgjedhjet e 2004. Anëtarët e grupit të katërt morën gjithashtu nga një letër, ku u thuhej jo vetëm nëse kishin marrë pjesë apo jo në zgjedhjet e vitit 2004, por gjithashtu edhe se kush nga fqinjët e tyre kishte votuar ose jo. Zgjedhjet treguan se pjesëmarrja në votime e grupit të kontrollit ishte më pak se 30%. Grupi i parë që mori letrat ku u kujtohej detyra e tyre qytetare pati një rritje 6% në pjesëmarrje. Grupi i dytë, anëtarëve të të cilit iu tha se po studioheshin, pati një pjesëmarrje 12% më të lartë. Grupi i tretë, të cilëve iu ishte treguar nëse kishin marrë pjesë apo jo në zgjedhjet e mëparshme, pati një rritjeje 16%. Dhe çudia më e madhe ndodhi me grupin e katërt, anëtarëve të të cilit iu ishte thënë se ç’kishin bërë fqinjët e tyre (pra, a kishin votuar apo jo) ditën e votimit. Pjesëmarrja në votim e këtij grupi u rrit me 27%. Pra, vetëm informacioni lidhur me pjesëmarrjen në votim të fqinjëve bëri efekt më shumë se shumë përpjekje të fuqishme, takime e biseda, reklama e postera, për pjesëmarrjen në votime. Shkencëtarët nxorën si përfundim se, ndërsa vota individuale përbën shumë pak në përfundimin e një zgjedhjeje, ajo mund të përbëjë shumë në sytë e miqve e të komshinjve. Në kohët kur qytetet qenë të vogla dhe njerëzit në to gati njiheshin të gjithë, pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë. Në vitet 1880 pjesëmarrja në votime në SHBA ishte rreth 80%. Deri në vitin 1920, ajo ra në 40%. Dihet që në shoqëritë nën diktaturë njerëzit mund të detyrohen të shkojnë me shumicë në kutitë e votimit. Breza të tërë i kujtojnë mirë zgjedhjet në Shqipërinë komuniste, kur binte daullja që në pesë të mëngjesit dhe njerëzit vraponin turma-turma drejt qendrës së votimit. Të gjithë aktivistët e lagjeve e të frontit ruanin se kush vinte me vonesë dhe ata që vinin të fundit shaheshin e kritikoheshin nga komshinjtë e të devotshmit se kishin bërë fajin më të madh në atë që mund t’ua kalonte një bllok apo lagje tjetër. Dhe natyrisht që rezultatet ishin mbi 99.90%. Për atë periudhë, kolumnisti i njohur i SHBA Çarls Krothhamer, përcaktoi të ashtuquajturin “indeksi i Tiranës”, pas zgjedhjeve të vitit 1982, ku u raportua një fitore në zgjedhje prej 1,627,959 me vetëm 1 kundër. Indeksi i Tiranës tregonte se sa më i lartë të ishte numri i votave që fiton qeveria në pushtet, aq më tiranike ajo ishte. Ato kohëra sigurisht kanë kaluar e nuk kthehen më për Shqipërinë. Ajo që ka rëndësi tani është që vota e shtetasve të mos shpërdorohet më kot. Dhe kjo zë fill që nga pjesëmarrja në zgjedhje. Sigurisht, parregullsitë, vjedhjet e votave, mashtrimet e dhuna kanë bërë që kjo pjesëmarrje të bjerë. Njeriu bën një arsyetim të thjeshtë: Votoj apo nuk votoj unë, vota ime nuk ndikon fare, sepse votat prapë do të rregullohen siç duan ata që kanë në dorë ta bëjnë këtë. Por nuk është kështu. Me këtë arsyetim asnjëherë nuk kemi bërë atë që duhet si qytetarë dhe udhëtimi drejt demokracisë ka për të mbetur përjetësisht imagjinar e i paarritshëm për shoqërinë tonë. Forca e votës së thjeshtë të shtetasit nuk duhet të nënvleftësohet kurrë. Vetëm duke marrë pjesë në zgjedhje e duke hedhur votën tënde për atë që mendon ti, mund të përmirësosh sistemin votues, mund të heqësh qafe ata që i prishin zgjedhjet e që përpiqen t’i manipulojnë ato. E do të ardhmen tënde demokratike? Voto! Në SHBA pjesëmarrja në zgjedhje është nga më të ulëtat ndër vendet demokratike. Natyrisht, edhe këtu pjesëmarrja ka rëndësinë e vet. Po kjo rëndësi as që mund të krahasohet me atë që ka në një vend si Shqipëria. Në SHBA demokracia është një tren që ka kohë që shkon në shinat e veta. Mund të shkojë më shpejt apo më ngadalë, por shinat ama i ka. Dhe historia ka treguar se në dorën e kujtdo të ketë qenë pushteti, demokratëve apo republikanëve, vendi ka kohë që është në krye të demokracisë së botës dhe pavarësisht vështirësive të përkohshme e të veçanta, ka patur periudha të gjata të lulëzimit ekonomik. Kurse për Shqipërinë asgjë nuk ka rëndësi aq të madhe sa pjesëmarrja në zgjedhje. Dhe është fare e pajustifikueshme dhe tepër e dëmshme për zhvillimin demokratik që në zgjedhjet shqiptare pjesëmarrja vërtitet në 50% dhe madje ka një prirje në pakësim. Votimi është arma e vetme më efikase demokratike që cilido shqiptar duhet ta përdorë e të mos lërë t’i ndryshket sirtarëve. Është tjetër gjë se për cilin voton. Pjesëmarrja është e para. Pastaj për atë që voton, është përgjegjësia jote, përvoja, mençuria, nuhatja, harresa e të tjera e të tjera. Dhe në fund të fundit, ti meriton të kesh mbi krye ata që zgjedh me votën tënde demokratike, të mirë apo të liq qofshin. Gjithsesi, lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, eksperimenti i studiuesve amerikanë mund t’i japë ide të reja e të vlefshme organizmave që studiojnë e mbikëqyrin pjesëmarrjet në zgjedhje apo ndonjë OJQ-je Shqipëri për të nxitur njerëzit të votojnë duke përdorur jo vetëm format e mësipërme, por edhe elementë të tjerë që lozin rol në jetën, botën e psikologjinë shqiptare.