Korrupsioni me të ardhmen është krim me pasoja të rënda!
Letër e hapur e drejtuesit të PS ’91 për kryetarin e PS, Edi Rama
Edi,
Kam ndjekur me shqetësim aktin tënd policor kundër socialistit Ilir Kokona dhe nuk jam çuditur. E kam ditur prej kohësh se teknologjia jote është ekzakt e njëjta me atë të zotit Berisha.
Ti, njëlloj si ai, e urren mendimin ndryshe nga i yti. Je gati ta varrosësh nën gërmadhat që i prodhon vetë. Të kujtohet si e varrose në statut mendimin ndryshe?
Por ti ke harruar që varrimi politik i mendimit ndryshe është varrimi i demokracisë. Se mendimi ndryshe është në fakt gjeneratori i lirisë. Mendimi i lirë s'mund të jetë tjetër, veç mendim ndryshe! Liria e mendimit nuk llogarit shumicë dhe pakicë! Mendimi i shumicës nuk është automatikisht mendim i drejtë. Dhe respekti për mendimin e lirë nuk ndryshon nga fakti se në ç'numra përfaqësohet ai.
Shumica nuk ka kurrë të drejtë të përdorë ruspën ndaj alternativës ndryshe. Kjo ndodhte, kur në pushtet qe ai, ndaj të cilit ti je nip, jo vetëm biologjik, por tashmë edhe politik!
Mbete antisocialist i përbetuar! Megjithëse mundohesh ta fshehësh. Sepse të duhen votat e socialistëve. Kurrë nuk iu ke qenë mirënjohës atyre. Ke menduar se e kanë pasur për detyrë të të japin karrigen e kryeministrit të Tiranës.
Kur ti s’ke moral të shprehësh një vlerësim politik për ish- kryetarin tënd dhe ish-kryeministrat e tu, që të ngopën me buxhete, ç'mund të presin ata mijëra militantë që u rropatën, djersitën apo dhe u gjakosën në qendrat e votimit për të mbrojtur votat e demokracisë?
Prandaj duhet të shkosh te partia jote, G99. E meritoni njëri- tjetrin. Ata e bënë detyrën! Luftuan Nanon dhe PS që të të bënin ty kryetar të madh. Që ti t’i fusje në listë pastaj.
Mirënjohja nuk është patjetër një barrë që duhet hequr qafe. Ajo është e tillë, kur e meritojnë pushtete informale dhe përfaqësues të krimit.
Nuk kam dëgjuar t’u jesh shmangur mirënjohjeve të tilla. Me sa duket, pushteti i tyre mbetet shumë i fortë mbi ty dhe bashkëpunëtoret e tu! Si në rastin e Gërdecarit tënd.
Nuk më thua, si mund të jetë teknologji e re teknologjia ‘Berisha’ që përdor ti ndaj alternativës ndryshe?
Ti e di që e vjetra bërtet më shumë se kushdo e çfarëdo tjetër në emër të së resë. E bën për mbijetesë. Dihet. Atëherë ç'i duhet Shqipërisë së sotme teknologjia ‘Berisha’, e përfaqësuar prej teje?
Ti dhe Berisha mbeteni armiqtë më të egër ndaj mendimit dhe alternativave ndryshe. Që të dy jeni njerëzit më të pakontrollueshëm të këtij vendi. Prandaj jeni shumë të rrezikshëm. Megjithëse të dy po bëni garë të pafund projektesh komunale. Ju të dy mendoni se bërja e detyrës qenka dhuratë për popullin.
Që të dy mendoni se kundërshtarët tuaj, sidomos nga brenda, duhen eliminuar, se ju pengojnë të kryeni me sukses punën e prodhimit të dhuratave për popullin.
Edi,
Demokracia nuk është fasadë, por konstruksion demokratik, njerëzor. Për ty mjafton të jetë fasadë. Me fasada ka filluar në fakt edhe karriera jote e tenderave. Por, fasada me të cilën ti ke mbështjellë “demokracinë” tënde, nuk të lë të shohësh konstruksionin tënd. Sepse nuk është transparente! I ke vënë një bojë shumë të trashë. Njerëzit tani nuk flasin më për konstruksionin e demokracisë. Mund të debatojnë vetëm për fasadën. Sepse transparenca ka mbetur në arkivat e politikës së vjetër.
Të kujtohet KPD e famshme? “Pse duhej që gjithë populli të merrte vesh se ç’bëhej aty” do thoshte politika e re. D.m.th., transparenca të nxirrka bojën! A nuk e kupton që prandaj i duhet sistemit demokratik? Ta përsëris! Për t’i nxjerrë bojën, d.m.th., fasadën politikës, së re apo të vjetër.
Raporti i fundit mbi mungesën e lirisë së medias është një shuplakë për ty dhe për Berishën. Sepse që të dy doni që shtypi të eliminojë çdo mendim ndryshe nga i juaji.
Je kthyer në një subjekt të rrezikshëm politik.
Je gati ta lësh pa shtëpi mendimin ndryshe. Je gati ta lësh pa punë, d.m.th., pa bukë.
Ngaqë ke dëgjuar se zëri i ndërgjegjes mezi dëgjohet, kur zorrët zënë e kërcasin. Je bërë si një personazh te “Lulëkuqet mbi mure”; ke filluar t’u hedhesh nga një krodhe buke socialisteve që të rezultojnë kundër teknologjisë tënde.
Mos e përdor më të ardhmen si alibi për të mbuluar teknologjinë tënde të stërvjetër!
Korrupsioni me të ardhmen është krim me pasoja të rënda!