E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha mashtroi Frattinin për pasaportat

Nga L.Progni

Deputeti socialist, Taulant Balla, tha dje se qeveria shqiptare i hodhi hi syve ministrit të Jashtëm italian në lidhje me çështjen e dokumenteve të identifikimit. Sipas Ballës, qeveria i paraqiti Frattinit një dokument model, por që nuk ka nisur akoma prodhimin dhe kushedi se kur do realizohet një gjë e tillë. “Sali Berisha u mundua dje të gënjente shqiptarët, por edhe ministrin e Jashtëm italian, me një model të pasaportës së re biometrike. Duke mbajtur në duar dosjen prezantuese të modelit të paraqitur nga kompania fituese e tenderit të pasaportave, Berisha gënjeu, duke thënë se pasaportat e reja dhe kartat e identitetit janë gati, dy elementë shumë të rëndësishëm qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për standardin e munguar të zgjedhjeve në Shqipëri. Deri sot asnjë shqiptar nuk ka marrë në dorë pasaportën e re dhe kartën e identitetit.

Ne, të gjithë shqiptarët, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk kemi nevojë të shohim projektet, është koha të shohim rezultatet”, - tha Balla. Deputeti socialist tha se shqiptarët po vuajnë ende murin e vizave dhe kjo për shkak të paaftësisë së qeverisë që përkthehet dhe në viktima si në rastin e Butrintit. “Nuk mund të gënjehen shqiptarët pas kaq vitesh zhgënjimi dhe pritjeje me deklarata boshe dhe mashtrime. Shqiptarët po vazhdojnë të vuajnë murin e vizave, sepse kjo qeveri nuk ka as vullnetin dhe as kapacitetet për të shënuar rezultate të dukshme në luftën kundër kriminalitetit, trafiqeve ilegale, emigracionit të paligjshëm. Tragjedia e dhimbshme e para pak ditëve në liqenin e Butrintit ishte shprehja më e qartë e dështimit të politikës dritëshkurtër të kësaj qeverie. Ditë më parë shqiptarët u njohën me deklaratën e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Jacques Barrot, i cili u shpreh se dita e liberalizimit të plotë të vizave me Shqipërinë është ende shumë larg dhe se vendimi për liberalizimin nuk do të merret as në vitin 2009. Nuk ishte e rastësishme ajo deklaratë, sepse për detyrat dhe elementët bazë që monitorohen nëpërmjet udhërrëfyesit për liberalizimin e regjimit të vizave me BE: siguria e dokumenteve, lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe kriminalitetit të organizuar, ruajtja dhe menaxhimi i kufijve, si dhe çështje që kanë të bëjnë me lëvizjen e personave”, - tha Balla.

“Nuk mund të bëhet politikë dhe as të fitohen vota duke u tallur me hallet e shqiptarëve, sikurse mundohet të bëjë Sali Berisha. Liberalizimi i plotë i vizave është një detyrim madhor që ne kemi ndaj shqiptarëve, por kjo nuk duhet të mbetet më thjesht dhe vetëm një premtim elektoral.

Shqiptarët e dinë tashmë se heqja e vizave varet plotësisht nga cilësia dhe shpejtësia e përmbushjes së kushteve që na ka vendosur Bashkimi Evropian.

Por, me këtë qeveri, kushtet që mund të plotësohen vetëm në një vit, nuk përmbushen as në katër vjet.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›