E do titullin e golashënuesit

Didier Drogba dhe Wayne Rooney nuk janë vetëm kundërshtarë ekipi. Dyshja e frikshme sulmuese nga Chelsea dhe Manchester United ka një tjetër qëllim: ta mposhtin njëri-tjetrin sa i përket golashënuesit më të mirë në Angli.
Me golin e shënuar të shtunën kundër Cardiff, Drogba e ka barazuar numrin e golave me rivalin Rooney – 23 gola në të gjitha garat.
“Unë dëshiroj të bëhem golashënues në Angli. Dëshiroj që njerëzve t’ua kujtoj ‘Drogba luftëtarin’. Mungesa ime sa isha në Kupën e Afrikës mund të jetë vendimtare. Ajo mund t’i japë avantazh Rooneyt dhe rivalëve të mi të tjerë. Mirëpo, unë ngazëllehem që do të mund t’i luftoj ata (konkurrentët) deri në ndeshjen e fundit”, u shpreh Drogba në një intervistë për tabloidin britanik The Sun.
Sulmuesi i Tottenham, Jermain Defoe është i treti me 20 gola, i ndjekur nga Carlos Tevez i Manchester Cityt (18) dhe Darren Bent i Sunderland (15). Por, duket se lufta më e ashpër do të jetë ndërmjet Rooney dhe Drogbas. Të dy janë futbollistë të klasit të lartë, me teknikë, lëvizje, shpejtësi dhe fuqi, që i nevojiten një sulmuesi të kompletuar. Përfaqësuesi i Bregut të Fildishtë thotë se ka respekt të madh për rivalin e tij anglez, por që dëshiron ta kalojë atë deri në fund të sezonit.
“Gara ndërmjet meje dhe Rooneyt do të jetë e bukur dhe objektiv imi është që të arrij në fund në pozitën e parë. Nuk mendoj për numrin ekzakt të golave që më nevojiten. Mirëpo, është e nevojshme për mua që ta kaloj shifrën 30, nëse dëshiroj të jem nr. 1. Kjo është e mundshme”, vazhdoi 31 vjeçari.
“Rooney është sulmues i madh dhe po luan në nivele të larta. Por, kanë mbetur ende disa ndeshje dhe unë e kam ndërmend të lartësohem para tij. Duket se unë gjithmonë do të luftoj kundër lojtarëve të Manchester United në këtë aspekt. Cristiano Ronaldo nuk ishte sulmues tipik, por shënonte nga gjuajtjet e lira dhe nga penalltitë. Wayne është i ndryshëm nga ai. Rooney shënon gjithmonë, e kjo është meritë e lojës së tij”, pohoi Drogba.
Sulmuesi kryesor i klubit londinez ka shtuar se objektiv tjetër i tij është që ta fitojë Ligën e Kampionëve, Premierligën dhe FA Cup me Chelsean. “Nuk është e lehtë të arrihen këta tre tituj, por unë jam mjaft ambicioz dhe besoj se Chelsea mund ta bëjë këtë. Ne po shkojmë mirë në Premierligë, ndërsa do të mundohemi ta menaxhojmë këtë situatë edhe në kompeticionet tjera”, nënvizoi ai.
Në të kaluarën, Drogba ka arritur të shënojë plot 12 herë kundër Arsenalit, duke përfshirë këtu edhe dy golat që i shënoi fundjavën e kaluar. Mirëpo, kundër Manchester United ka realizuar vetëm një herë, në dimrin e vitit 2007, në finalen e FA Cup.
“Kundër Arsenalit unë shënoj gjithmonë. Ndoshta stili i lojës kundër tyre më jep më shumë mundësi. Ne jemi mjaft ofanziv në këto ndeshje derbi. Kurse të përballem me United është një histori tjetër. Ndeshjet kundër tyre duket të jenë mjaft taktike, me të dyja mbrojtjet shumë më të mbyllura. Me të vërtetë nuk është e lehtë të shënosh kundër United, por ëndërr e imja është ta shënoj golin e fitores ndaj United në Old Trafford, ku do të shkojmë në muajin prill. Për momentin unë po e shijoj formën time më të mirë të viteve të fundit”, tha futbollisti nga Afrika.
Ai shtoi se përvoja më e keqe këtë sezon pa dyshim ishte me Bregun e Fildishtë, që dështoi ta rrëmbente Kupën e Afrikës. Drogba shpreson të arrijë rezultate më të mira në Kampionatin votëror.