Sadiku afër Prishtinës

Portieri i Kosovës së Vushtrrisë, Burim Sadiku, sipas të gjitha gjasave, në stinorin pranveror do mbrojë portën e kampionit aktual të Kosovës, FC Prishtinës.
Zyrtarët e FC Prishtinës janë në fazën përfundimtare të bisedimeve me portierin vushtrrias, por edhe me zyrtarët e Kosovës (V) rreth këtij transferimi.
Nënkryetari i ekipit bardh e kaltër, Afrim Muçiqi tha se Sadiku, sipas të gjitha gjasave, në pranverë do të jetë në dispozicion të trajnerit Skënder Shengyli.
“Jemi në bisedime dhe bisedimet po shkojnë mirë. Ka gjasa shumë të mëdha që Sadiku shumë shpejt të bëhet pjesë e klubit tonë”, deklaroi Muçiqi për Express të shtunën.
Ndërsa njëjtë sikurse Afrim Muçiqi është shprehur edhe portieri Burim Sadiku, i cili tha se me dëshirë të madhe do të bëhej pjesë e skuadrës kryeqytetase.
“Jam në bisedime me zyrtarët e Prishtinës dhe ka gjasa shumë të mëdha që në pranverë të luaj për Prishtinën. Kam dëshirë të luaj për Prishtinën, sepse dihet se është klub i madh”, tha Sadiku për Express.
“Unë i falënderoj edhe zyrtarët e Kosovës së Vushtrrisë, të cilët nuk po e pengojnë transferimin tim, edhe pse kam kontratë me këtë klub. Zyrtarët e Kosovës janë afër të arrijnë marrëveshje me zyrtarët e Prishtinës rreth transferimit tim”, pohoi ai.
Ndërkohë, një burim i gazetës Express brenda Kosovës (V) ka treguar se FC Prishtina me gjasë do t’ia japë klubit vushtrrias një portier të vetin në shkëmbim të Sadikut.