E drejta e pronësisë, Halimi: Qeveria ofron zgjidhje

Ministria e Drejtësisë prezantoi sot strategjinë për të drejtën e pronësisë. Ministri Eduard Halimi tha se qeveria do të zbatojë edhe procesin e legalizimit dhe të kompensimit, duke shmangur konfliktet.
“20 insitucione dhe ekspertiza e huaj kanë marrë pjesë në këtë draft i cili kur të miratohet duhet të jetë një strategji bindëse dhe realiste. Duhe të hartohet një dokument unik dhe gjithëpërfshirës që ti referohet të drejtave të pronësisë” ka theksuar Halimi.
Gjatë fjalës së tij, Halimi akuzoi socialistët se kujtohen për pronarët vetëm kur janë në opozitë, pasi kur ishin në pushtet nuk bënë asnjë gjë për kthimin e pronës.
“Regjistrimi i pronave ka pasur zhvillime të vrullshme. Kaluam nga sistemi me zero pasuri private në 500 mijë pronarë. Ata që qanë ditën e përvjetorit të diktatorit për pronarët gënjyen kur thanë se nuk ka asnjë pronar të regjistruar” ka theksuar Halimi.
Ai ka theksuar më tej se trajtimi i çështjes së pronës do të udhëhiqet nga e drejta kushtetuese. "Vizioni ynë do të materializohet dhe do të përkthehet në politika reformuese. Këto politika do të jenë të kordinuara dhe të planifikuara ndërsa shtylla bazë do të jetë dixhitalizimi i informacionit” ka shtuar më tej Halimi.
Ndërkohë ditën e sotme Ministria e Drejtësisë ka prezantuar draft strategjinë ndërsektoriale "Reforma në fushën e të drejtave të pronësisë".