E Diel, 1 Nëntor 2026

E ëma varros Enver Rabiajn

05/04/2005  Prokuroria konkludoi zyrtarisht se viktima e “Don Boskos” ishte i riu nga Gradishta e Lushnjës

Konkludohet zyrtarisht se njeriu bombë që u ekzekutua një muaj më parë, si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi në rrugën “Don Bosko”, është Enver Rabiaj. Ngjashmëria e fotos së tij me tiparet e mbetura të paprishura nga shpërthimi kanë qenë vendimtare në këtë rezultat të Prokurorisë. Gjithashtu, edhe gjendja emocionale që e ëma e tij, Lutja, kishte përjetuar teksa kishte parë të birin, ishte një konfirmim për Prokurorinë, se viktima ishte pikërisht Enver Rabiaj. Ndërkaq, e ëma e moshuar ka tërhequr dhe varrosur trupin e të birit që u dergj në morg për afro një muaj.

Konkludimi

Pohimi i të moshuarës nga Gradishta e Lushnjës, Lute Rabija, se viktima e “Don Boskos” ishte i biri i saj, nuk është marrë me nxitim nga policia dhe prokuroria. Kjo për faktin se dyshohej që dikush mund të kishte bërë një trillim për të humbur gjurmët e viktimës së vërtetë. Por në momentin kur të moshuarës i është paraqitur kufoma e të birit, kanë qenë aty edhe hetues të çështjes. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Metropol” nga burime të policisë kryeqytetase. Ato thanë se gjendja emocionale e të moshuarës me origjinë nga Gradishta, ka qenë vërtet e rëndë, kur është përballur me kufomën e të birit. Mësohet se ajo është mbytur në lot, duke qarë për vdekjen e birit të saj të fundit. Madje ka qenë e vështirë që të qetësohet dhe të pohojë para hetuesve nëse viktima është apo jo djali i saj. Burimet theksojnë se ajo ka pranuar zyrtarisht që viktima ishte i biri, djali i saj i dytë, i vrarë në moshë të re. Ndërsa ka shkuar të qajë të birin në një nga motrat e saj, pasi bashkëshorti i kishte vdekur që prej vitit 1987, kohë edhe kur janë larguar familjarisht nga Gradishta. Burimet sqarojnë se për t’u siguruar për vërtetësinë e thënieve të të moshuarës Lute Rabiaj, është bërë edhe krahasimi i fotove që ajo ka paraqitur me fytyrën e viktimës. Megjithëse fytyra e tij ishte e dëmtuar në disa vende, ato tipare që kanë mbetur të padëmtuara kanë rezultuar identike me ato të fotove. Tjetër fakt që ka konfirmuar se viktima ishte djali i saj, Enver Rabiaj, ishin edhe shenjat e plagëve të plumbave të marrë në vitin 1997.

Varrimi

Burime të policisë, por edhe mjeko-ligjorët kanë pohuar dje për gazetën se kufoma e viktimës së “Don Boskos”, tashmë është varrosur. Burimet sqarojnë se pas konkludimit zyrtar se viktima ishte Enver Rabiaj, me origjinë nga fshati Gradishtë i Lushnjës, është lejuar tërheqja e trupit të tij të pajetë për t’u varrosur. Burimet thonë se trupi i është dorëzuar të ëmës, e cila e ka përcjellë të birin e masakruar për në banesën e fundit. Enver Rabiaj ishte djali i dytë i saj i vrarë, pasi i madhi, Bardhi ishte vrarë në vitin 1997. Sipas policisë, po atë ditë, Enveri është plagosur në shpatull dhe në këmbë, shenja të cilat janë identifikuar nga mjeko-ligjorët.

Hetim nëse Enveri u vra aksidentalisht, apo e ekzekutuan

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është përqëndruar në dy pista kryesore, njëra është ajo e gjetjes së objektivit të atentatit të dështuar. Ndërsa pista tjetër, në të cilën po hetohet është konkludimi nëse shpërthimi ka qenë aksidental, apo gjithë ngjarja ka qenë një kurth i ngritur për viktimën. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thonë se, ekspertizat e vendit të ngjarjes janë të pamjaftueshme për të konkluduar në një version konkret. Kjo, pasi mungojnë ende rezultatet e ekspertimit të shkakut të shpërthimit të eksplozivit, thonë burimet. Ato sqarojnë se po verifikohet numri celuluar që ka aktivizuar shpërthimin e eksplozivit. Kjo me qëllim identifikimin e mundshëm të personit që ka kryer thirrje në celularin e montuar në eksploziv. Ndërsa tre të rinjtë lushnjarë të arrestuar Ditën e Verës, nën akuzën e pengimit të hetimit, dyshohen se kanë dijeni të plota rreth ngjarjes. Kjo për vetë faktin se ata kanë kryer biseda të shpeshta telefonike kohët e fundit me viktimën, madje edhe natën e ngjarjes.

Xhaxhai i Enverit: “Dy nipërit e mi, anëtarë të bandës së Aldo Bares”

“Për Enverin di vetëm aq sa kam dëgjuar mbrëmë në televizor, unë

gruaja dhe fëmijët e mi. Madje, e kemi gdhirë deri në orën 2 të

mëngjesit sot (pardje) për të dëgjuar ndonjë gjë të re. Mësuam se e identifikoi e ëma, Lutja, por se ku jeton ajo, ne nuk e dimë. Që kur vdiq vëllai im, ajo iku nga Gradishta dhe shkoi te dhëndri. Mbaj mend që atëherë i thashë: “Mos ik nga fshati se do të vrasësh djemtë. Unë nuk mund të të ndjek pas, sepse kam familjen dhe hallet e mia. Të paktën shko tek vëllai yt në Lushnjë, por jo te dhëndri në Fier”. Nuk më dëgjoi, iku në Fier, ndërsa 2 djemtë e vëllait, Bardhi dhe Enveri, shkuan në Greqi. Se me çfarë pune janë marrë, nuk e di. Por di se blenë një makinë dhe vinin deri në Gradishtë e nuk më takonin as mua, as xhaxhain tjetër. Bëheshin më shumë me njerëzit e nënës së tyre. Deri sa erdhi dita kur unë shkela për herë të parë dhe të fundit në shtëpinë e tyre pas vdekjes së vallait tim. Ishte atëherë kur shkova të ngushëlloja për vdekjen e Bardhit. Atëherë, ata e kishin blerë një shtëpi në Lushnjë, të cilën më pas e shitën. Nuk më ka faj mua ai që i vrau. Por vetë nipërit e mi. Përse duhet të përziheshin me banda e stërbanda? Me të thënë i kam, por me sa di, 2 nipërit e mi kanë qenë me grupin e Alfred Shkurtit, ose si i thonë ndryshe, “Aldo Bares”. Ndërsa grupi kundërshtar i tyre ka qenë ai i Tur Dajës. Nipin tim e ka vrarë Tur Daja në qendër të Lushnjës, në trazirat vitit ‘97, ndërsa Enveri është plagosur në këmbë dhe në shpatull. Tur Daja, atëherë donte të na vriste të gjithëve si fis.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›