E famshmja “Thomas Cook” boton një guidë për Tiranën
“Udhërrëfyesi”, me autor Tim Clancy, një ekspert udhëtimesh dhe turizmi për Evropën Juglindore, fokusohet mbi Tiranën, por mbulon njëherazi Krujën dhe Beratin.
Clancy udhëtoi në Shqipëri në muajin nëntor 2007 dhe përmes ndihmës së ofruar prej ekipit të USAID, EDEM, takoi më se 50 menaxherë hotelesh, agjenci udhëtimesh e pronarë restorantesh, mbikëqyrës muzeumesh, guida turistike dhe artistë vendas. Ai e ka mbushur guidën “Tirana CitySpot”, me format xhepi prej 142 faqesh, plot me këshilla dhe informacion praktik udhëtimi. Ajo përmban pjesë të shkurtra mbi historinë, stilin e jetesës, kulturën, dyqanet dhe madje përfshin të dhëna mbi Festivalin e përvitshëm të Filmit për të Drejtat e Njeriut që zhvillohet në Tiranë në muajin mars.
Pjesët me informacion praktik iu ofrojnë udhëtarëve informacionin e nevojshëm që atyre iu nevojitet për të organizuar strehimin e tyre, vizitën në zonën e “Bllokut” për t'u bërë pjesë e jetës së natës dhe e tërheqjeve të Tiranës, ku s'mund të anashkalohet pirja e kafesë dhe shikimi i kalimtarëve, pa humbur shijimin e kuzhinës shqiptare. Njëri prej kapitujve të saj është “Tirana e Gjelbër”, e cila i udhëzon
vizitorët të shohin natyrën e Tiranës dhe të rrethinave të saj, si për shembull fshatin Ibë pranë kalasë së Petrelës, Malin e Dajtit dhe teleferikun që të shpie drejt majës, dhe Parkun e Madh të Tiranës.
Libri është duke u shitur drejtpërsëdrejti prej “Thomas Cook Publishing”, si dhe përmes faqes së tyre të internetit: http://www.thomascookpublishing.com. Projekti EDEM po punon me “Thomas Cook” për identifikimin e shpërndarësve vendas të këtij botimi. USAID do të organizojë një ceremoni promocionale me praninë e autorit gjatë muajit shtator.
Mbi “Thomas Cook Publishing”
“Thomas Cook” ka botuar guida udhëtimi, kalendarë me orare dhe harta për më se 130 vjet. Ai është emri më i hershëm në botimin e udhërrëfyesve të udhëtimeve dhe të operatorëve turistikë. Themeluesi, Thomas Cook, organizoi turin e tij të parë në vitin 1841, botoi librin e tij të parë të udhëtimit në vitin 1873 dhe lëshoi çekun e parë të udhëtarit në vitin 1874. Botimet e tyre shiten në më se 60 shtete dhe janë përkthyer në gjuhë të ndryshme, duke përfshirë italishten, spanjishten, polonishten dhe holandishten.
Rreth autorit
Tim Clancy është një udhëtar dhe eksplorator i guximshëm, i cili themeloi kompaninë e mirënjohur të udhëtimeve “Green Visions” në Sarajevë. Ai ka botuar katër guida udhëtimi për rajonin e Ballkanit përmes “Thomas Cook and Bradt Publications” dhe shërben si konsulent për udhëtime aventure dhe turizëm komunitar në tërë rajonin. Tim erdhi në rajon si punonjës i një agjencie zhvillimi në vitin 1992 dhe e ka kthyer Evropën Juglindore në shtëpinë
e tij që nga kjo periudhë. Ai ka jetuar në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë, në Mal të Zi, në Shqipëri dhe në Kosovë. Pas një punë shumëvjeçare në agjenci zhvillimi, ai iu kthye punës për turizmin si një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të varfëra dhe malore në zonën e Alpeve Dinarike. Tim jeton në Sarajevë, ku përveç të shkruarit rreth udhëtimeve dhe ndihmës që i ofron kompanisë së tij, është duke punuar me BE dhe USAID për zhvillimin e politikave të turizmit për Bosnjë-Hercegovinën dhe më gjerë për rajonin.