Çështja e pronave çame dhe maqedonase në Greqi
Udhëzimi i miratuar me shpejtësi ditëve të fundit nga qeveria greke me afat deri më 16 tetor për të dorëzuar dokumentet për hipotekimin e pronave nga e para, më shumë duket si thikë pas shpine për pengimin e dy vendeve fqinje me Greqinë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilat varen në njëfarë mënyre nga firma greke për anëtarësim në BE dhe NATO. Vendimi i qeverisë greke duket tendencioz, duke u nisur nga fakti që shteti grek iu ndalon çamëve dhe maqedonasve të Egjeut pajisjen me viza për të hyrë në Greqi dhe në njëfarë mënyre nuk do të mund të hipotekojnë pasuritë e tyre.
Një shqiptar dhe maqedonas, (të afërmit e të cilit janë dëbuar me dhunë nga trojet e tyre prej qeverisë greke pas Luftës së Dytë Botërore), të nisë procedurat për kthimin e pronës në Greqi, për të cilën ai pretendon se është pronar i saj, në radhë të parë duhet të hapë një çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë të qytetit ku kjo pronë ndodhet e regjistruar. Në mënyrë absurde dhe qesharake, kërkohet që pretenduesi të përfaqësohet nga një avokat, i cili të jetë grek. Në rast se e drejta nuk zgjidhet në Gjykatën e Shkallës së Parë, çështja kalon në Shkallën e Dytë dhe në Gjykatën e Lartë. Por, duke ditur pengesat e shumta, si burokracitë e ambasadës greke, që pengojnë lëshimin e vizave për këtë kategori qytetarësh, zgjatja e proceseve gjyqësore, atëherë pasuritë dhe të shqiptarëve, dhe të maqedonasve do të përvetësohen përgjithmonë nga shteti grek, pasi nuk mund të regjistrohen në afatin e 16 tetorit 2008.
Racizmi grek ndaj minoriteteve
Greqia nuk ka pasur Mesjetë, Rilindje, luftë për rezistencë ndaj pushtuesve osmanë. Ajo gjithnjë është banuar pas rënies së Bizantit nga shqiptarët, hebrenjtë, turqit, romët, serbët, maqedonasit, bullgarët, të cilët, pasi u përzgjodhën, formuan shtetin modern grek me një histori mashtruese mitologjike. Fakti që në Greqi ende flitet nëpër rrethet familjare shqipja, turqishtja, hebraishtja, maqedonishtja, bullgarishtja, tregon se ende ka popullsi të paasimiluar, edhe pse shtypja shtetërore ka qenë e egër.
Hebrenjtë më së shumti kanë jetuar në qytetin e Selanikut, ku dikur ndodhej dhe varreza më e madhe e hebrenjve në Evropë me mbi 500.000 mijë varre, por nga vitet 1930 këtë varrezë grekët e prishën dhe me pllakat e mermerta ndërtuar universitetin ‘Aristoteli’. Pra, atje ku sot mësojnë mijëra të rinj, në Selanik, kanë qenë dikur varrezat e hebrenjve dhe këta të rinj shkelin mbi varret e tyre duke turbulluar shpirtrat e të vdekurve. Ndërsa shumicën e hebrenjve grekët ua dorëzuan gjermanëve për t’i djegur në furra. Nga rreth 56.000 mijë hebrenj që kishte Selaniku në vitin 1941, kur gjermanët e pushtuan brenda pak muajsh, u dërguan për në kampet e përqendrimit 54.000 mijë, pra mbi 96% e popullsisë së hebrenjve. Sot, komuniteti hebre në Greqi nuk njihet zyrtarisht dhe ka vetëm një varrezë e vogël në Selanik që mirëmbahet nga shteti izraelit.
Minoriteti bullgar dhe serb pothuajse janë përzënë ose asimiluar i tëri në Greqi. Në qytetin e Selanikut ndodhet vetëm një varrezë madhështore serbe, të cilët janë ushtarët serbë, të vrarë gjatë Luftës Ballkanike. Greqia minoritetin turk e ka zvogëluar pak nga pak. Turqit që dikur jetonin në Selanik pothuajse janë asimiluar, dhe ata turq që jetojnë në Thraqi njihen si grekë të fesë islame dhe jo minoritet turk. Turqit që jetojnë në Thraqi kanë arritur të përfaqësohen në fillim të viteve 1990 me tre deputetë në Kuvendin e republikës greke, por këta deputetë gjithnjë janë njohur si myslimanë që përfaqësojnë partitë politike greke.
Vllahët në Greqi janë minoriteti më i përkëdhelur në aspektin e pushtetit, por që nuk iu njihen të drejtat gjuhësore dhe kulturore. Ata njihen si vllahët grekë (ellinovllahon). Popullsia vllahe në përgjithësi ka zënë pasuritë e shqiptarëve dhe të maqedonasve, pasi këta u përzunë me dhunë nga trojet e tyre.
Me një mjeshtëri raciste shteti grek që nga vitet 1913 ka ditur të përzërë sistematikisht shqiptarët e Greqisë. Bëhet fjalë në përgjithësi për shqiptarët e fesë islame. Por edhe ata shqiptarë ortodoksë që nuk pranuan të deklaroheshin me kombësi greke, u masakruan ose u përzunë nga Greqia. Shqiptarëve që ishin shtetas grekë në fillim iu hoq shtetësia greke dhe i deklaruan të humbur, njerëz pa adresë. Më tej iu përvetësuan pasuritë dhe ua ndanë të tjerëve ose vendosën emigrantët ortodoksë të ardhur nga Azia e vogël. Shqiptarët, të cilëve iu janë përvetësuar pasuritë nga shteti grek, ndahen në dy kategori:
1). Shqiptarët, të cilëve iu përvetësua pasuria me marrëveshjen e Lozanës si popullsi e shkëmbyeshme.
2). Popullsia shqiptare çame që u quajt bashkëpunëtore e pushtuesve gjermanë.
Me dekret ligji të viteve 1923-1932, Greqia përvetësoi të tërë pasuritë e shqiptarëve islamikë me pretekstin e marrëveshjes së Lozanës si popullsi shkëmbyese midis turqve islamikë dhe ortodoksëve grekë. Në vitet në vazhdim, shteti grek në emër të reformës agrare iu ndaloi të gjithë atyre njerëzve që nuk kishin kombësi greke të drejtën e tokës bujqësore. Italianët, francezët, gjermanët, turqit që kishin prona në Greqi u dëmshpërblyen, vetëm shqiptarët nuk u dëmshpërblyen. Pastaj erdhi Lufta e Dytë Botërore, ku me kapitullimin e Gjermanisë grekët nisën në fillim masakrat mbi popullsinë shqiptare në Çamëri.
Shqiptarët çamë që u përzunë në vitet 1944-1945 shteti grek i quajti bashkëpunëtorë të gjermanëve dhe në mënyrë kolektive iu hoqi shtetësinë greke, iu përvetësoi pasuritë. Me disa ligje primitive Greqia iu mohoi çdo të drejtë njerëzore të gjithë atyre shtetasve grekë që nuk kishin pranuar kombësinë greke të rikthehen ndonjëherë edhe si vizitorë në Greqi. Pasi Greqia përzuri mijëra shqiptarë nga tokat e tyre, grekët filluan përzënien e maqedonasve që banonin në brezin kufitar nga Follorina e deri në Selanik. Në emër të luftës qytetare më 1947-1949, ushtria nacionaliste e djathtë greke që përkrahej zyrtarisht nga Anglia dhe SHBA filloi masakrat në fshatrat ku jetonte minoriteti maqedonas. Si pasojë, mijëra maqedonas (një shifër të saktë nuk ka të regjistruar), u shpërngulën nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në Republikën e Maqedonisë, një pjesë e vogël u larguan për në Bullgari, Çeki, Poloni, Rusi, Hungari, Sllovaki etj.
Në vitet 1972-1982, qeveritë greke nxorën ligje, ku i lejohej çdo shtetasi grek të përzënë të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose kompensim. Nga këto ligje për t’u rikthyer u përjashtuan shqiptarët çamë edhe maqedonasit, pasi ligji përcaktonte se i faluri duhej të kishte kombësinë greke dhe në mërgim të kishte mbajtur qëndrim kombëtar grek.
Politika e pas viteve 1990
Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, ardhjen e demokracisë në Shqipëri dhe Maqedoni, u besua se diçka do bëhej me rikthimin e të ikurve gjatë viteve të shkuara. Por politika greke, duke përfituar nga fuqia që i jep anëtarësimi në NATO dhe BE, nuk ka dashur të dëgjojë asgjë për këto çështje. Kështu, grekët kanë zgjedhur kërcënimet politike për nënshtrimin e fqinjëve të tyre për mos-hapjen e çështjeve të të drejtave të minoriteteve në Greqi.
Qeveritë shqiptare të pas viteve 1990 kanë treguar një servilizëm të paparë ndaj politikës greke. Shpeshherë qeveritë shqiptare kanë treguar servilizëm të paguar shtrenjtë, duke iu dhënë përparësi bizneseve greke në Shqipëri. Sot, grekët kontrollojnë ndërmarrjet më të mëdha si tel. mobile, naftën, duhanin, bankat, rrobaqepësitë, vajrat etj. Për rreth 18 vite Shqipëria nuk ka ndërtuar një strategji për një politikë më burrërore përballë Greqisë. Kemi qenë dëshmitarë të keqtrajtimit të mijëra emigrantëve ekonomikë, të grisjes së pasaportave shqiptare në kufi nga ana e policisë greke, përzënies me dhunë, konfiskimit të të hollave, keqtrajtimeve në kufi, racizmit shtetëror në shkollat ku mësojnë fëmijët e emigrantëve etj.
Tolerimi i shtetit shqiptar ndaj britmave të tipit Vasilis Bollanos ka bërë që çështja çame të ndizet edhe më shumë kohëve të fundit. Raporti i ndryshimit të politikave në fillim të viteve 2000, pavarësia e Kosovës, kandidimi i Shqipërisë për anëtarësim në NATO, kanë bërë ndërtimin e raporteve të reja, ku shqiptarët luajnë një rol të rëndësishëm në Ballkan, duke rrezikuar në njëfarë mënyre rolin përkëdhelës që ka pasur dikur Greqia..
Ndryshe nga politika shqiptare për çështjen e çamëve, duke parë ashpërsinë e politikës greke ndaj anëtarësimit në NATO dhe BE të Maqedonisë, qeveritë e maqedonasve janë hedhur në sulm të vrullshëm ndaj çështjes së maqedonasve të Egjeut, emrit kushtetues, kishës ortodokse etj. Letrat e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dërguar BE, OKB, NATO-s etj., për problemet që kanë maqedonasit me të drejtën e pasurive, minoritetit, kishës maqedonase, kanë bërë që politika greke të mendohet gjatë për firmat që do të hedhë për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE e NATO. Greqia, edhe pse është fqinjë i parë me Shqipërinë, ende pas dy viteve nuk ka nënshkruar marrëveshjen e MSA për lëvizjen e lirë të mallrave, të punonjësve, e shërbimeve dhe të kapitaleve. Siç duket, Greqia do të mbetet shteti i fundit për firmosjen e MSA me Shqipërinë!
Edhe pse në përgjithësi rubinetet e bizneseve në Maqedoni hapen nga dora greke, maqedonasit janë më kërkues dhe luftarakë për të drejtat e tyre që duhet t’i gëzojnë në shtetin grek, në krahasim me shtetin dhe qeveritë shqiptare që janë gjunjëzuar përpara presioneve të politikave greke.
Maqedonasit në Greqi kanë arritur të themelojnë shoqata, partinë, si dhe bënë përpjekje për ndërtimin e një kishe në rrethin e Follorinës. Por të gjitha këto arritje kanë patur edhe çmimin e tyre të lartë politik dhe ekonomik në arenën ndërkombëtare.