E fuqizojnë Atifeten
Ka filluar punimet të enjten në Prishtinë, Samiti Ndërkombëtar i Gruas, me temën “Partneritet për ndryshimin- Fuqizimi i gruas”, nën patronazhin e Presidentes Atifete Jahjaga.
E gruaja për të cilën u thanë fjalë të mëdha në hapjen e samitit, ishte vetë nikoqirja Atifete Jahjaga.
Ajo u lavdërua për punën e saj nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe ish-Sekretarja Madeleine Albright, të cilat e quajtën Jahjagën shembull për gratë e tjera në Ballkan. Ndërsa i siguruan asaj përkrahjen e mëtejme amerikane.
Sekretarja Clinton përmes një videolinku, iu drejtua pjesëmarrësve në Samit duke uruar Presidenten e re për idenë e saj. “Nuk kam mundur të jem personalisht me ato, por dua t’ju përshëndes shumicën prej jush që të hapim shanse të reja për gratë në Ballkan dhe kudo. Dhe Madam Presidente... ...e dua këtë fjalë”, tha Clinton me gjasë, duke kujtuar garën e saj për Presidente të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ju keni bërë një karrierë duke lidhur urat përmes ngritjes së prosperitetit dhe progresit si një Presidente e re në rajon. Ju jeni një lidere e natyrshme për çështjen e fuqizimit të grave dhe shumëçka tjetër çdo grua e re do të mund të marrë shembull se sa larg mund të shkojnë aspiratat dhe te ju do të gjenin përgjigje dhe unë mezi pres që të vazhdojmë punën tonë bashkërisht në Kosovë dhe tutje”, tha Clinton.
Fjalë përgëzuese për nikoqiren e samitit, hapjen e së cilës e bëri, dha edhe paraardhësja e Clintonit.
Por, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit dhe një ndër kontribuueset për paqen në Kosovë, Madeleine Albright, fjalimin e saj e nisi me një falënderim për burrat.
“Më duhet të them që do të doja t’i falënderoj burrat në këtë sallë që po i shoh, edhe ata të gjithë kanë pasur nëna, kështu që mendoj se është e mrekullueshme që i kemi këtu”, tha ajo.
“Jam shumë e kënaqur, po ashtu që jam në Kosovë dhe të kem një rast tjetër për të shoqëruar Presidenten Jahjaga në këtë konferencë aq të duhur”, vazhdoi ajo.
Gruaja e cila mori Medaljen presidenciale të Lirisë nga Presidenti amerikan, Barack Obama, për kontributet e saj në paqe dhe liri, foli për Kosovën e pasluftës duke u shprehur krenare për të arriturat e saj.
“Jam ndier krenare derisa po dëgjoja himnin e Kosovës”, u shpreh Albright.
Ndërsa, vazhdoi fjalimin duke folur për rolin e gruas në fuqizimin e shtetit.
“Një shtet që dëshiron t’i fuqizojë qytetarët e vet, duhet të bëjë dhe t’i vërë në dispozicion të gjitha resurset nacionale dhe natyrore duke kultivuar forcat e veta nacionale, të shfrytëzojë energjitë dhe potencialet e gjithë qytetarëve, duke nënkuptuar këtu edhe gratë”, tha Albright.
Figura e kësaj të fundit dhe e Sekretares Clinton, ndërkaq u lartësua edhe nga Presidentja Jahajaga.
“Gra si Sekretarja Clinton dhe Sekretarja Albright, ato të cilat kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre dhe diplomacinë e tyre që t’u japin fund vuajtjeve njerëzore dhe që paqja të bëhet normë ditore dhe për t’u bërë pjesë e proceseve vendimmarrëse në shtetet e tyre përkatëse, këto lidere kanë falënderimin dhe mirënjohjen tonë të sinqertë për ato që kanë bërë për ne”, tha Jahjaga gjatë fjalimit të saj.
Ndryshe, në Samiti Ndërkombëtar i Gruas me temën “Partneriteti për Ndryshim- Fuqizimi i Gruas”, do të zgjasë deri më 6 tetor të këtij viti në Prishtinë.
Në të po marrin pjesë mbi 200 gra lidere nga Kosova, vendet fqinje, si dhe nga rajone të tjera të Europës, Amerikës Veriore, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.