Thellohen përçarjet
Pas akuzave të Jakup Krasniqit se deputetët kanë ardhur në Kuvend me vota të vjedhura, të enjten ka eskaluar situata edhe më shumë mes anëtarëve të Partisë Demokratike.
Kërkesa e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci për të votuar rezolutën për procesin e privatizimit, nuk është përkrahur nge Kryetari i Kuvendit, i cili ka lexuar rregulloren dhe ka thënë se rezoluta mund të votohet vetëm pas tetë ditësh.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë kundërshtuar idenë e PDK’së dhe kanë kërkuar të votohet mocioni i tyre që ndalon përkohësisht procesin e privatizimit.
Rezoluta e PDK’së, e cila përkrah privatizimin, sipas rregullores do të duhet të paraqitej për votim tetë ditë para seancës së Kuvendit.
Ky rregull do të mund të anashkalohej nëse votojnë 2/3 e deputetëve. Por, rezoluta e PDK’së nuk e ka pasur përkrahjen, as të krejt deputetëve të PDK’së.
Megjithëkëtë, Grabovci ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të seancës, pa kaluar së pari çështja e privatizimit.
“Nuk pranojmë që asnjë pikë e rendit të ditës dhe seanca nuk do të fillojë punimet pa u votuar mocionet e djeshme”, ka thënë Grabovci.
Pastaj ka plasur sherri mes Krasniqit dhe Grabovcit.
Krasniqi ka lexuar rregulloren e Kuvendit dhe ka kërkuar që të respektohet ajo.
“Rregullorja mund të anashkalohet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Pa u bërë anashkalimi, nuk mund të hyjnë këto dy rezoluta në rend të ditës. Jam i obliguar ta procedoj punën sipas rregullores së punës dhe jo sipas dëshirës së asnjë deputeti, e as sipas dëshirës së një grupi parlamentar”, ka thënë ai.
Partitë opozitarë nuk e kanë përkrahur idenë e PDK’së për të anashkaluar rregulloren dhe rrjedhimisht ka qenë e pamundur të sigurohen votat e 2/3 të deputetëve.
Pas kësaj, ka ardhur reagimi i Shefit të deputetëve të PDK’së.
“Është dashur t’i lexoni këto dje”, ka reaguar Grabovci.
“Po t’i lexoj sot, se është dashur t’i lexosh ti. Unë veproj sipas rregullores dhe jo sipas urdhrit tënd”, është kundërpërgjigjur Krasniqi me ton të lartë.
Kryetari i Kuvendit i ka thënë Shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së që nëse nuk i rrihet në seancë, të dalë jashtë.
“N’t’u nejtë, rri, mos n’t’u nejtë, dil jashtë”, ka thënë Krasniqi.
“Dalim bashkë”, është përgjigjur Grabovci.
Situata në Kuvend është acaruar edhe më shumë mes dy zyrtarëve të PDK’së.
“Jo s’dal, provo a dal jashtë a s’dal jashtë”, ka reaguar përsëri Krasniqi.
Pas tensionimit të situatës, Grabovci ka kërkuar dhjetë minuta pauzë, ndërkohë deputetët e pozitës nuk janë kthyer më në seancë, duke e lënë Kuvendin pa kuorum.
Pas kthimit nga pauza 10-minutëshe, Adem Grabovci ka thënë se do të respektojnë rregulloren për të nxjerrë në votim mocionin pas tetë ditësh.
“Ne kërkojmë që të respektohen vërtet procedurat. Unë e kam rregulloren këtu, por rregulloren po e interpretojnë kush si të dojë. Është e vërtetë se parashihet se 8 ditë duhet të dorëzohet mocioni, para fillimit të debatit. Ne jemi për t’i respektuar procedurat, do të presim afatin e nevojshëm ligjor prej 8 ditëve dhe pas 8 ditëve, kur të përmbushet ky afat ligjor, ne do të votojmë mocionin e kërkuar dhe pastaj do të procedojmë me pikat e rendit të ditës”, ka thënë Grabovci.
Pas largimit të partive në pushtet, nga Kuvendi ka reaguar deputeti i LDK’së, Sabri Hamiti.
Sipas tij, ky është problem përtej një partie dhe se nuk është ky problem i PDK’së, por është problem i Kuvendit dhe i raporteve me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe të Kuvendit me mazhorancën aktuale.
“Është rrënim i Parlamentit. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me PDK’në por me të gjitha partitë që janë në mazhorancë. Ato nuk donë ta bëjnë hesap më Kuvendin”, ka thënë Hamiti.
Edhe Burim Ramadani i AAK’së ka thënë se Kuvendi i Kosovës po duket mirë pa PDK’në, duke kërkuar që problemet brendapartiake të mos barten në Parlament.
“E vërteta është se Kuvendi po kthehet në një adresë të gabueshme. Problemet e juaja të brendshme i keni adresat ku i adresoni. Mos e ktheni edhe Kuvendin sikurse i keni kthyer edhe institucionet e tjera në probleme të brendshme dhe të cilat po vazhdojnë të fusin Kosovën në rrethe të tjera të krizave. Kjo praktikë nuk është bojkot, kjo është ikje dhe këtë qytetarët e Kosovës duhet ta dinë”, ka thënë Ramadani.
Ndryshe, Kryeparlamentari edhe të enjten, e ka mbrojtur qëndrimin se deputetët kanë ardhur si pasojë e vjedhjes së votave. Ai e ka kundërshtuar deputetin e AAK’së se vjedhja e votave është problem vetëm i PDK’së.
“Kam ngritur probleme për interes të qytetarëve dhe nuk është mirë që ju t’i adresoni çështjet gabim. Edhe një herë po them, nëse çështjet që i kam ngritur dje janë çështje të mia personale dhe është interesi im personal, unë tërhiqem nga ajo që kam thënë dje. Por unë jam i bindur se ajo që kam thënë dje, është në interes jo vetëm të të sotmes, por edhe të ardhmes së demokracisë në Kosovë. Prandaj, nuk është mirë t’i jepni një kahe që nuk ekziston”, ka deklaruar Krasniqi.