E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dadis Camara/ Ethet e pushtetit

Kanë kaluar plot dhjetë muaj që nga ngjitja e tij në pushtet dhe reputacioni i Moussa Dadis Camara ka ndryshuar shumë. Në fillim dukej si njeriu hyjnor, i vetmi që ishte në gjendje të sillte rregullin në Guinenë e shkatërruar nga regjimi i Lansana Conte (1948-2008). Sot ai konsiderohet si një njeri i rrezikshëm dhe përgjegjësi moral i dhunës me të cilën u shtyp manifestimi paqësor i 28 shtatorit të vitit 2009 në Conakry, ku mbetën të vrarë rreth 150 persona. Më 19 tetor, një komision ndërkombëtar ka nisur të hetojë mbi këtë masakër. Në pamje të parë kapiten Camara nuk ka ndryshuar. Mban veshur të njëjtën uniformë ushtarake, të njëjtën beretë të kuqe dhe ka të njëjtën shprehje prej nervozi në fytyrë. Në vend që të transferohej në pallatin presidencial, ka preferuar të jetojë në baraka në kampin ushtarak Alpha Yaya Diallo, nga ku ushtron edhe pushtetin. "Populli më do, sepse jam njëri prej tyre. Kam lindur në kasolle", i pëlqen të përsërisë shpesh. Por, në javët e fundit, kapiteni ka treguar natyrën e tij të vërtetë, autoritare dhe manipuluese. Para 28 shtatorit, opozita e Guinesë dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar i kishin kërkuar të linte pusheshin. Por Camara, me origjinë nga Nzerekore, një zonë e largët e Guinesë, nga e cila nuk ka dalë kurrë asnjë lider, nuk dëshiron të largohet. Me siguri nuk e imagjinonte se do të arrinte deri në këtë pikë. Kur më 22 dhjetor të vitit 2008 vdiq ish-presidenti Lansana Conte, Camara shfrytëzoi para kohe grupet dhe klanet e tjera, duke pushtuar institucionet që dukeshin më të brishta. Banorët e Guinesë e pritën gjithë entuziazëm lajmin, pasi shihnin tek ai një njeri të ri dhe të mirë, që mund t‘i shpëtonte. Camara u prezantua si kreu i Këshillit Kombëtar për Demokracinë dhe Zhvillimin, emri zyrtar i juntës ushtarake dhe u vetëshpall Presidenti i Guinesë. Deri pak ditë para kësaj, ishte vetëm një zyrtar i ushtrisë që kishte studiuar disa vjet në Gjermani. Institucionet kishin humbur kredibilitetin dhe Camara diti të përdorte mënyrat e duhura: "Të ndëshkonte ata që përfitonin", trafikantët e drogës dhe të vendoste rregullin.

Në mensën ushtarake

Bisedat e Camaras nuk janë gjithmonë koherente dhe shpesh edhe mënyra e bërjes së gjërave nuk është ajo e duhura. Më mirë se të gjithë këtë e di sekretari francez për bashkëpunimin, Alain Joyandet, që në janar të vitit 2009 shkoi në Conakry për të kontrolluar kalendarin e "tranzicionit" të demokracisë. Camara e priti Yoyandet në Alpha Yaya Diallo me vonesë, në një ambient të mensës ushtarake. Takimi i tyre u zhvillua përpara një publiku të zhurmshëm ushtarësh të veshur me uniformë. Duke përdorur fraza mistike, kapiteni deklaronte se kishte marrë përsipër një mision hyjnor dhe se ishte gati për të sakrifikuar për "pastrimin" e Guinesë. Por, mbi të gjitha, u angazhua se do t‘u kthente së shpejti fuqinë civilëve, duke u betuar mbi Biblën dhe Kuranin që mbante mbi tavolinë. Kapiteni është gjithmonë e më i bindur se është i vetmi që mund të kontrollojë një ushtri të ndarë në klane. Bisedat mbi transparencën dhe përqendrimin janë vetëm një mjet për të maskuar dëshirën e tij për pushtet. Qeveria fantazmë drejtohet nga Kryeministri Kabinet Komara, që nuk ka asnjë lloj autonomie në vendimet ekonomike. Komara shfaqet shpesh nëpër transmetimet televizive, që banorët e Guinesë i kanë quajtur me emrin "Dadis show". Kapiteni pushon nga puna drejtuesit që nuk i pëlqejnë, urdhëron arrestime dhe poshtëron opozitën në emisionet e drejtpërdrejta televizive. Në këtë mënyrë, brenda pak muajve arriti që një numër i madh forcash politike thellësisht të ndara të bashkoheshin kundër tij. Edhe pse shumë popullor, "Dadis show" duket se është frut i një strategjie të planifikuar nga Mohamed Ould Abdel Aziz, që verën e shkuar, pas grushtit ushtarak, u bë President i Muritanisë. Edhe Camara po përgatitet për zgjedhjet presidenciale, të parashikuara për në janarin e vitit 2010, pavarësisht premtimit për të mos kandiduar. Ndërkaq, po mundohet të forcojë pushtetin e tij, duke emëruar prefektë të rinj, penguar gjykatat, vënë në gjunjë bankën qendrore dhe duke vendosur shokët e tij të ushtrisë nëpër kompanitë e mëdha dhe administratën në vend. Të paktën dhjetë ministra vijnë nga vendi i tij. Brenda ushtrisë Camara mund të mbështetet te një grup ushtarësh me një reputacion shumë të keq. Mes tyre Claude Pivi, i quajtur Coplan, i përfshirë në represionin e dhunshëm të manifestimeve të janarit të 2007-s dhe kreu i rojave presidenciale. Megjithatë, Pivi në javët e fundit duket sikur e humbi pak influencën në favor të ndihmësit të Camara-s, Toumba Diakite, një ish-mjek ushtarak që i përket etnisë malinke, që udhëhoqi represionin e 28 shtatorit. Pastaj është edhe ministri i Mbrojtjes, Sekouba Konate, numri dy i juntës, një kolos i heshtur i quajtur Parausky, sepse babai i tij kishte jetuar në Bashkimin Sovjetik në kohën e diktaturës së Ahmed Sekou Toure (1958-1984). Një tjetër pseudonim që përdoret për të është "El Tigre", për shkak të ashpërsisë së treguar gjatë luftërave në Liberi dhe Sierra Leone. E ardhmja e juntës varet nga lidhjet komplekse dhe të errëta të këtyre njerëzve. "Është një ekuilibër terrori", komenton Aliou Barry, specialist në problemet e mbrojtjes. Hetimi i komisionit ndërkombëtar mbi masakrën e shtatorit po vazhdon, por Camara, ndërkohë, po fiton kohë. Disa analistë në Conakry kanë frikë se lideri i Guinesë do të dalë i pastër nga kjo çështje, sepse asgjë nuk mund ta ndalë më. "Nëse do të qëndrojë në pushtet, Camara do të hakmerret ndaj të gjithëve: politikanë, punonjës në organizatat humanitare, gazetarë", komenton Mamadi Kaba i rrjetit afrikan për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›