E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaira Vike-Freiberga/ Sfida e ish-presidentes ndaj meshkujve të Brukselit

Pozicioni i presidentit të parë të Europës, sipas Traktatit të Lisbonës, është një nga më të lakmuarit, kryesisht prej atyre që e kanë pasur një post të tillë, ose të ngjashëm në vendin e tyre. Pretendentët janë kryesisht meshkuj, por mes tyre ka edhe ndonjë femër dhe madje një zonjë e vërtetë. Ajo është Vaira Vike-Freiberga, dy herë Presidente e Letonisë, e adhuruar dhe e respektuar në vendin e saj. Kandidimin e saj dje ajo e nisi me një sfidë të hapur ndaj mendësisë ekzistuese të sekretivitetit që karakterizon emërimin e njeriut që do të zërë vendin kryesor të BE-së. Vaira shprehu pakënaqësinë e saj në lidhje me idenë e përhapur se nuk ekzistojnë gra të kualifikuara mjaftueshëm për postin e lartë dhe mbi të gjitha për të është tërësisht i papranueshëm fakti se procesi i seleksionimit të kandidatëve po zhvillohet pas skene dhe jo në dritë të diellit. Për sa i takon zonjës në fjalë, ajo është një nga të paktët kandidatë që e kanë pranuar hapur qëllimin dhe objektivin e tyre dhe mbi të gjitha është e pajisur me aftësitë dhe përvojën e duhur për të përballuar gjithë barrën dhe peshën e punës. Jeta e saj ka qenë e jashtëzakonshme dhe ka nisur nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore për të vazhduar me një karrierë akademike të shkëlqyer dhe 8 vite si kryetare shteti e një vendi të zhvilluar dhe me standard të lartë jetese. Ishte ajo që e shoqëroi vendin e saj në anëtarësimin në Bashkimin Europian e në NATO. Ndërsa meshkujt janë dominues në Bruksel, kandidatja letoneze shprehet: "Meshkujt e Brukselit kanë paragjykimet më të padrejta ndaj grave. Ata kanë përhapur idenë se nuk jemi sa duhet të kualifikuara dhe sinqerisht më vjen keq që ekzistojnë mendësi të tilla, sepse kjo është një gënjeshtër e madhe, ndaj së cilës duhet të protestojmë. Kjo nënkupton se talenti dhe aftësitë janë shpërndarë vetëm te qeniet që kanë një kromozon të caktuar, në këtë rast te meshkujt".
71-vjeçarja ka studiuar në Kanada dhe ka dhënë mësim për linguistikë në Universitetin e Montrealit. Është autore e 11 librave dhe ka marrë deri më tani 16 doktoratura nderi. Veç kësaj është e martuar me dy fëmijë, njëri prej të cilëve punon në Londër. Zotëron në mënyrë të shkëlqyer anglishten, frëngjishten, gjermanishten, spanjishten dhe sigurisht gjuhën e saj. Sipas saj, mënyra e fshehtë me të cilën punohet në Bruksel është si ajo e Bashkimit Sovjetik, e fshehtë dhe me kulisa. Ndaj rivalëve meshkuj, veçanërisht Toni Blerit, ajo ka kërkuar që të mos qëndrojnë të fshehur, por të dalin hapur me qëllimet e tyre dhe mbi të gjitha të kenë guximin për të dalë para europianëve për t‘u thënë se cilat janë vlerat që mbartin. Vetë Vaira fushatën e saj e ka përçuar edhe në "Facebook". "Gjithçka duhet të jetë shumë më transparente nga sa është aktualisht. Hapi i parë duhet të jetë deklarimi dhe ndërgjegjësimi se janë kandidatë për një post që nuk ka të bëjë vetëm me 27 anëtarët, por me të gjithë kontinentin. Njerëzit duhet të dinë se kush do t‘i drejtojë", thotë kandidatja. Kur kandidoi për presidencën e vendit të saj, ajo ishte një kandidate e pavarur dhe filozofia e saj politike bazohet në refuzimin dhe urrejtjen që ka ndaj çdo lloj dogme, veçanërisht ndaj asaj komuniste që skllavëroi vendin e saj për 50 vjet. Dadoja e saj vdiq, ndërsa familja ishte shtrënguar të linte vendin për t‘i shpëtuar furisë së Ushtrisë së Kuqe. Pas një ikjeje nëpër Europë, familja e saj përfundoi në Marokun francez për të emigruar përfundimisht në Kanada në vitin 1950. "Si fëmijë e kam parë Europën në një situatë shumë të keqe. Kam parë dy palë pushtuesish në vendin tim dhe njerëz që vuanin prej kësaj. Motra ime e vogël, Maria, vdiq kur ishte 10-muajshe, për shkak se nuk i duroi dot kushtet e vështira me të cilat u përballëm, ndërsa ne duhej të linim vendin", rrëfen kandidatja. Megjithatë, përvojat e hidhura të jetës e kanë bërë më të fortë dhe aspak paragjykuese ndaj të tjerëve. Në vitin 2006 ajo u caktua nga të gjitha vendet baltike si kandidatja e tyre për postin e sekretares së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Për sa i përket kandidimit aktual, ajo thotë se Presidenca e Bashkimit Europian do të drejtohet nga njerëz pragmatistë që i refuzojnë ideologji të tilla si federalizmi. Dy vjet më parë, ajo mbaroi edhe mandatin e dytë presidencial dhe që prej asaj kohe është pjesë e një grupi politikanësh me përvojë që merren me çështjen e Bashkimit Europian. "Unë jam e bindur se Europa erdhi në jetë në epokën e iluminizmit, kur mendimtarët e mëdhenj, si Locke dhe Hume, futën idenë e pragmatizmit. Ata thanë se njerëzit nuk duhet kurrë të pranojnë verbërisht ideologjitë që u vihen përpara dhe se gjithsecili prej nesh duhet që të vërë në punë aftësitë e tij kritike dhe analitike për të gjykuar dhe marrë vendime. Duhet të kemi shumë kujdes që të mos përfshihemi nga ideologjitë fanatike". Ndërkohë ajo e ka aktualisht inatin me median që i ka vënë epitetin "Zonja e hekurt", e huazuar nga emërtimi që i kishin vënë ish-kryeministres britanike, Thatcher. "Sapo gazetarët takojnë një grua që ka mendimet e veta dhe është e gatshme që të luftojë për to, i vënë një emërtim të tillë. Kjo nuk është as e drejtë dhe as realiste".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›