E joshin me femra, merret peng biznesmeni nga Vlora
VLORE-Ka shkuar për të takuar një femër dhe ka gjetur… burrin dhe kushëririn e saj. Me të vërtetë i pafat biznesmeni Anesti Avrami, që të shtunën ishte nisur enkas nga Vlora për të takuar në Tiranë një fierake, grua të martuar. Me të ishte njohur nga shkëmbimi i numrave të telefonit në një gazetë që publikon njoftime për njohje të reja. Aventura i ka kushtuar shumë Avramit, i cili është detyruar të lëshojë sediljen e shoferit për të qenë peng në makinën e tij, nga Fatmir Memlikaj, i shoqi i gruas që priste të takonte, dhe kushëririn e kësaj, Julian Todhe. Në këto kushte, automjeti i nisur nga Lapraka ka përfunduar në rrugën ‘Irfan Tomini’. Nuk dihet sesi do të ishte fundi i këtij udhëtimi nëse pranë tyre nuk do të kalonte një furgon policie. Avrami ka thirrur për ndihmë policët që ishin në furgon dhe këta kanë ndalur menjëherë automjetin në të cilin ndodhej vlonjati me Memlikajn dhe Todhen. Memlikaj dhe Todhja janë arrestuar në flagrancë nga policia me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë. Ndërsa është shoqëruar në policinë e Fierit gruaja e Memlikajt, e cila ka dhënë dëshminë e saj në lidhje me njohjen me biznesmenin vlonjat. Burime policore thanë se dyshojnë se gruaja të jetë përdorur vetëm si karrem për të tërhequr biznesmenin vlonjat në Tiranë, dhe ngjarja të ketë pasur për qëllim zhvatjen e ndonjë shume parash Avramit. Vetë të arrestuarit i kanë qëndruar pretendimit se kishin kërkuar veç të takoheshin dhe të sqaroheshin me Avramin. (d.b/BalkanWeb)