Protokolli me Greqinë përgënjeshtron qeverinë
TIRANE-Kufiri detar me Greqinë ka ekzistuar. Ai ka qenë i pakontestueshëm dhe i paprekshëm nga fqinji ynë jugor. “Gazeta Shqiptare” boton sot ekskluzivisht protokollin e bashkëpunimit për patrullimin e përbashkët të kufirit detar, që vendi ynë ka nënshkruar me Greqinë në datën 10 qershor 1998. Në këtë dokument, pala greke njeh jo vetëm sovranitetin e Republikës së Shqipërisë mbi ujërat e saj territoriale, por edhe angazhohet për ruajtjen e përbashkët të kufirit në det me qëllim parandalimin e emigracionit ilegal, kontrabandës, trafikut të armëve dhe lëndëve narkotike. Botimi i këtij dokumenti rrëzon gjithë pretendimet e qeverisë, sipas të cilave kufiri detar me Greqinë nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami do të deklaronte në datën 15 tetor 2009 se, “Shqipëria nuk i ka falur Greqisë asnjë metër sipërfaqe detare dhe për këtë qeveria shqiptare ka një argument të fortë, atë se kufiri detar mes dy vendeve fqinje nuk ka ekzistuar asnjëherë. Kurrë nuk ka pasur kufij detarë Shqipëri-Greqi dhe deri tani çdo gjë ka funksionuar me hamendje dhe me kujdesin për të mos u konfliktuar”. Por, ky pretendim i Imamit rezulton tërësisht i pavërtetë. Protokolli Në nenin 1 të protokollit të bashkëpunimit që Shqipëria dhe Greqia nënshkruan në datën 10 qershor 1998 thuhet se: “Palët theksuan nevojën e bashkëpunimit në fushën e kryerjes së shërbimit të Policisë Kufitare, duke parashikuar masa të përbashkëta për ruajtjen e kufirit detar të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Greqisë si dhe të ujërave territoriale shqiptare”. Pra, qysh në nenin e parë të këtij protokolli, palët jo vetëm njohin, por edhe pranojnë ekzistencën e kufirit. Veçanërisht, sikundër edhe specifikohet në këtë nen, Greqia njeh dhe pranon ekzistencën e ujërave territoriale shqiptare. Kjo konfirmohet madje në të 19 nenet e këtij protokolli. Milo-Papandreu Neni 18 i marrëveshjes së përbashkët të kufirit sanksiononte se, “kohëzgjatja e misionit është njëqind e tetëdhjetë ditë. Palët do të shqyrtojnë mundësinë e zgjatjes së afatit të misionit, në varësi të ecurisë së zbatimit të kësaj marrëveshjeje”. Fill pas skadimit të afatit të përcaktuar në protokollin e 10 qershorit 1998, qeveria shqiptare dhe ajo greke ranë dakord për shtyrjen e vlefshmërisë së këtij protokolli për një periudhë të re prej 180 ditësh të tjera. Në datën 24 gusht 1999, ministri ynë i Punëve të Jashtme në atë kohë, Paskal Milo dhe homologu i tij grek, Jorgo Papandreu, aktualisht kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, nënshkruan në Tiranë zgjatjen e vlefshmërisë së protokollit të mëparshëm. Pra, me vetë firmën e kryeministrit aktual të Greqisë, fqinji ynë jugor ka pranuar ekzistencën e kufirit detar me vendin tonë duke i njohur kësisoj Shqipërisë të drejtën e sovranitetit mbi ujërat e saj territoriale. Pakti Marrëveshja për ujrat detare me Greqinë që u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti u bë e njohur që pas publikimit të fakteve tronditëse nga “Gazeta Shqiptare” dhe TVNews24. Gazeta Shqiptare" ka qenë e para e përditshme në vendin tonë që arriti të zbardhë qysh në 26 prill 2009, faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Sipas zbulimit, mësohet me fakte se Marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë. Fakti i pretenduar do të vërtetohej vetëm pak muaj më vonë nga ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli Myslym Pasha, njëherësh profesor me gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, i lauruar me titullin “Mjeshtër kërkimesh”. Në 28 shtator 2009, GSH botoi ekskluzivisht studimin prej 117 faqesh të kolonelit Pasha, sipas të cilit, nga kjo marrëveshje cënohej rëndë sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë, me 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon, që i dhurohej kësisoj Greqisë. Edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë. Në datën 25 shtator, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje. Por, në datën 15 tetor 2009, Parlamenti shtyu pa afat ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë pas presionit mediatik në rritje të "Gazeta Shqiptare" qe prej 9 muaj po boton fakte qe provojne cenimin e ujrave territoriale shqiptare.(d.b/BalkanWeb)