E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A, fitojnë Roma dhe Napoli

ROME- Roma ka qenë skuadra më e suksesshme e javëve të fundit të Serisë A, duke u rikthyer mes katër skuadrave më të mira. Verdhekuqtë kanë mundur 2-0 në “Olimpiko” Parmën e Guidolin, një kundërshtare direkte për vendin e katërt. Burdizo e Brigi shënuan për Romën, e cila shkon në 28 pikë, po aq sa Parma. “Pas 14 ndeshjesh, ku gjithnjë pësonim gol, tani shpresojmë të bëjmë 14 të tjera pa pësuar, - deklaroi në fund trajneri Klaudio Ranieri. – Nuk është vetëm portieri dhe mbrojtja, por e gjithë skuadra që po rritet”, shtoi ai. Ndërkohë, një fitore mjaft të rëndësishme ka arritur dje edhe Napoli, që hyn në zonën Europa League. Goli i Hamshik me penallti në minutën e 7-të dhe ai i Kualjarelës 3 minuta para përfundimit, i siguruan suksesin skuadrës që drejtohet nga Maxarri. Ndërkaq, Palermo ka marrë një tjetër fitore nën drejtimin e Delio Rosit, duke mundur 1-0 Sienën. Skuadrës siçiliane i mjaftoi një gol i shënuar nga Kavani në fundin e pjesës së parë për të marrë 3 pikët e radhës. Ndërkohë, fitore edhe Livornon, që mposhti 3-1 Sampdorian, skuadër që tashmë duket në krizë pas asaj nisje të shkëlqyer të kampionatit.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›