Juventus në krizë totale, humbje edhe me Katanian
TORINO- Juventusi pëson një tjetër humbje, e pesta në 6 ndeshjet e fundit përfshirë Champions, dhe e bën këtë kundër skuadrës së vendit të fundit në renditjen e Serisë A, Katanias. Bardhezinjtë janë mundur 2-1 në ndeshjen e zhvilluar në Torino ditën e dielë, duke treguar se janë në një krizë të plotë. Një disfatë që ka shkaktuar irritimin e tifozëve, madje që para ndeshjes autobusi i skuadrës bardhezi është goditur me vezë nga ultrasit. Po kështu, kritikat kanë vërshuar edhe mbi trajnerin çiro Ferrara, pavarësisht se vetëm pak orë pas ndeshjes presidenti Zhan Klod Blank e ka konfirmuar atë në krye të skuadrës. Takimi nisi me Katanian në avantazh. Pas vetëm 23 minutash, Tiago tërheq nga fanela Spolin në zonë dhe arbitri akordon penallti. Nga pika e bardhë Martinez nuk fal dhe kaloi siçilianët në avantazh. Një gol që i bën bardhezinjtë të zhduken, ndërsa nervozizmi bën punën e vet. Në minutën e 32-të Felipe Melo paguan për të gjithë, duke u nxjerrë nga fusha si një dështim, ndërsa në vend të tij futet Salihamixhiç, që rezultoi më i miri në fushë për Juven. Ndërkohë, dyshja Trezege-Amauri është një krizë më vete, pasi të dy shpesh ngatërrohen me njëri-tjetrin dhe humbasin edhe rastet më të pabesueshme. Në pjesën e dytë është parë në fushë një Juventus më i mirë, me Marçizion e Kaseres që kanë qenë iniciatorë të shumë aksioneve. Dhe është pikërisht boshnjaku ai që barazon shifrat në minutën e 66-të, pas asistit të Diegos. Trezege humb më pas një shans të mirë dhe Mihajloviç nis të mbrohet: brenda Belushi, që zë vendin e një fantazisti, Llamës. Kur të gjithë prisnin golin e fitores bardhezi, Katanias i ka mjaftuar një kundërsulm për të siguruar tri pikët. Izko, i sapofutur në fushë, del i vetëm me Maninger dhe shënon golin e dytë. Duket çudi, por Katania nuk fitonte në Torino që prej vitit 1963. “Duke parë momentin e Juves, kisha besim se mund ta bënim këtë”, deklaroi pas ndeshjes tekniku i skuadrës siçiliane Sinisha Mihajloviç. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)