Rikthehet kaosi dhe dhuna në Athinë
Tre shqiptarë janë mes dhjetëra anarkistëve të arrestuar në Athinë në protestat kundër policisë, gjatë përkujtimit të një-vjetorit të vrasjes së një nxënësi 15-vjeçar nga një oficer policie. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur. Qeveria e re socialiste e Greqisë ra dakord me protestuesit për të zhvilluar marshime dy ditore paqësore në kujtesë të Aleksis Grigoropulos, por kishte paralajmëruar se nuk do të kishte asnjë lloj tolerance ndal dhunës. “Ne nuk do të lejojmë që Athina të merret përsipër nga huliganët”, tha Mihalis Chrysohoides, ministri për mbrojtjen e qytetarëve. E me gjithë këtë paralajmërim marshimet u kthyen në përleshje të dhunshme. Vetëm të shtunën u arrestuan nga policia mbi 100 vetë. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë së policisë greke u përplasën edhe të dielën me protestuesit jashtë universitetit të Athinës, gjatë marshimit për të kujtuar përvjetorin e parë të vrasjes së 15-vjeçarit. Sipas mediave greke, tre vetë u plagosën dhe më shumë se 80 janë arrestuar vetëm të dielën në incidente të shpërndara. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë të rinjsh e cila hidhte gurë pasi protestuesit zaptuan ndërtesën e Senatit të universitetit. Më shumë se 6,000 policë janë vendosur rreth kryeqytetit grek për të parandaluar një përsëritje të trazirave të vitit të kaluar, që shkaktuan dëme materiale me vlerë më shumë se 200 milionë euro. Anarkistët në Greqi ishin organizuar për konfrontime me policinë greke duke bashkëvepruar edhe me të ngjashmit e tyre nga vende të tjera të Evropës. Vetëm nga Italia, Spanja dhe Franca kishte informacione për mbërritjen e 150 anarkistëve në Athinë. “Asgjë nuk ka ndryshuar që nga viti i kaluar, kështu që ne jemi përsëri në rrugë”, është shprehur për AFP një student i veshur në të zeza. Skuadrat e policisë së ndërhyrjes së shpejtë u zhvendosën në Exarchia, lagjen ku ndodhi vrasja, përpara një ceremonie përkujtimore jozyrtare që u zhvillua të dielën në mbrëmje. Një grup në këtë lagje ka sulmuar policinë që patrullonte zonën. Disa prej tyre janë arrestuar, katër ishin banorë lokalë, pesë ishin shtetas italianë dhe tre shtetas shqiptarë të cilët janë dërguar në prokurori për shumëllojshmëri akuzash. Përtej Athinës, pranë komunës së Pireut, Keratsini në “qarqet boheme”, janë arrestuar 41 individë të tjerë. Rreth 20 persona janë arrestuar në të njëjtën komunë të vetëquajtur “autonome”. Sipas njoftimeve, atyre iu konfiskuan granata të lehta, 200 shishe që përdoren për të formuar bomba molotovë, çekiçë, vare, çelësa anglezë, dy tanke me materiale të lëngshme të djegshme, shkopinj, helmeta, maska gazi dhe një kompjuter. Më vonë, 60 individë të tjerë u arrestuan në sheshin Sintagma, që protestonin dhunshëm para Parlamentit. Së fundi, gjashtë burra dhe dy gra u arrestuan në fillim të dielën në mëngjes në Selanik. Sipas policisë vendase, dyshohet se të ata ishin pjesë e një grupi më të madh të autorëve të maskuar që kthyen protestat e paqme në të dhunshme.
Si u vra Grigoropoulos
15-vjeçari, Alexandros Grigoropoulos, u vra nga një oficer policie në lagjen boheme “Exarchia” më 6 dhjetor 2008, ndërsa qëndronte mes një grupi të rinjsh të cilët kishin goditur me gurë makinën e policisë, siç ndodhte rëndom në atë zonë. Një nga dy policët që po patrullonin me makinë ka qëlluar drejt të rinjve duke e kapur 15-vjeçarin në kraharor, në një goditje fatale e cila u bë nisja e dhunës së fuqishme kundër policisë për muaj të tërë në të gjithë Greqinë. Ngjarja u shfrytëzua nga anarkistët të cilët vazhdimisht kanë provokuar incidente të dhunshme me shpërthime dhe zjarre kundër bankave, bizneseve, makinave dhe dyqaneve në qendër në kryeqytetit grek, duke shënuar protestat më të dhunshme të dekadave të fundit në Greqi.