TIFF, çmimi i parë shkon në Spanjë
alma mile
Filmi më i mirë i Tirana Film Festival është vlerësuar ai i regjisorit spanjoll Havier Robellos “Woman without a piano”.Mbrëmë, në sallën “Kadri Roshi”, në Teatrin Kombëtar, pas 10 ditësh gare, u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve të Tirana International Film Festival, i cili për herë të parë në 7 vite jetë, përfshiu brenda strukturës së vetë edhe konkurrimin e filmit me metrazh të gjatë. Nën drejtimin e prezantuesit Adi Krasta u shpallën më të mirët e këtij viti. Krahas filmit spanjoll, mjaft i vlerësuar doli nga ky festival edhe filmi me regji të Gjergj Xhuvanit, “Lindje, Perëndim, Lindje”, i vetmi prodhim shqiptar në garën për filmin me metrazh të gjatë. Juria e kësaj kategorie, e përbërë nga regjisorët Ben Rivers, Bujar Alimani, Joshua Jacob Marston, kritikja franceze Michele Levieux dhe gazetari Nick Holdsworth shpallën si regjisorin më të mirë të këtij festivali, pikërisht regjisorin Gjergj Xhuvani. Nuk mbetën pa trofe edhe çunat e çiklizmit (Helidon Fino, Gentjan Hazizi, Ervin Bejleri, Fatjon Pustina, Lulzim Zeqja), të cilët u shpallën si më të mirët si ekip, në kategorinë e aktorit më të mirë. Përveç meritës së padiskutueshme të të gjithë aktorëve në filmin “Lindje, perëndim, Lindje”, duket se juria ka dashur edhe të inkurajojë ca më shumë kinematografinë vendase. Në kategorinë e aktores më të mirë u shpall Carmen Machi, protagonistja e filmit “Gruaja pa piano”, duke i dhënë kështu trofeun e dytë prodhimit spanjoll. Nuk munguan çmimet e publikut e të medias. Publiku shpalli si të preferuarin e vet, filmin e regjisores spanjolle Sophie Barthes, “Shpirtra të ftohtë”, ndërsa media vlerësoi filmin e regjisorit Vladimir Paskaljeviç, “Qyteti i djajve”. U ndanë gjithashtu çmimet për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër dhe atë shqiptar, i cili konkurronte në një seksion më vete. Edicioni i sivjetshëm i kushtoi një rëndësi të veçantë homazhit të kineastëve të shquar. U shfaqën gjatë festivalit filma të regjisorit të njohur shqiptar, Viktor Gjika dhe atij grek Theo Angelopoulos, të cilët të dy, njëri pas vdekjes e tjetri i pranishëm, merituan Çmimin e Karrierës.
Në këtë edicion konkurruan 100 filma me metrazh të shkurtër dhe 15 me metrazh të gjatë. Gjatë ditëve të festivalit u vu re një lloj çorientimi nga ana organizative, pati shtyrje filmash për shkak problemesh teknike, apo burokratike, ndonjë konferencë shtypi të pakoordinuar mirë, megjithatë vlen të përmendet fakti, që ky festival solli në Tiranë prodhime të mira filmike, fitues çmimesh, apo kineastë të njohur, si Theo Angelopoulos. Pa harruar atmosferën e ndezur përreth Teatrit Kombëtar, çka i mungon kryeqytetit.
Çmimet e TIFF
Filmi më i mirë me metrazh të gjatë: “Gruaja pa piano”, “Akademia e Platonit”
Regjisori më i mirë: Gjergj Xhuvani
Aktorja më e mirë: Carmen Machi
Aktori më i mirë: Grupi i çiklistëve shqiptarë
Çmimi i Publikut: “Shpirtra të ftohtë”, “Kanioni”
Çmimi i Medias: “Qyteti i djajve”
Filmi eksperimental më i mirë: “Nëntor”,
Filmi më i mirë i animuar: “Dy Princeshat”,
Çmimi i mirënjohjes: Goran Paskaljeviç
Çmimi i karrierës: Theo Angelopuolos, Viktor Gjika