Sarandë, goditet prokurori në sallën e gjyqit, burg autorit
GJIROKASTER - Sallat e gjyqeve shndërrohen në arenë dhune mes drejtuesve të seancave gjyqësore dhe dëshmitarëve. Kjo ka ndodhur në Sarandë të premten që kaloi kur Lavdim Zejnati është konfliktuar me prokurorin Çlirim Shahini si dhe me gjyqtaren Ketra Bajrami brenda sallës së gjykatës ku zhvillohej një seancë gjyqësore. Zejnati po ndiqte një çështje gjyqësore, ku i pandehur është vëllai i tij, Besart Zejnati. Ky i fundit i ka kërkuar llogari gjyqtares pse kishte zvarritur çështjen, duke pretenduar se ajo mbronte palën tjetër. Ndërsa ai ka nisur të fyejë gjyqtaren ka reaguar dhe vëllai, ish-punonjës policie. Në gjaknxehtësi e sipër, është goditur prokurori i çështjes, i cili ndërhyri për të mbrojtur gjyqtaren nga sulmi. Pas reagimit të policisë u bë ndalimi i 28-vjeçarit Lavdim Zejnati. Nisur nga fakti se ka qenë pjesë e policisë së Sarandës dhe denoncues është prokurori i këtij rrethi, masa e sigurisë për të u mor nga Gjykata e Gjirokastrës. Ajo vendosi dje lënien në burg pa afat të Zejnatit, me akuzën e dhunimit për shkak të detyrës të prokurorit Shahini. Nga ana e tij, i akuzuari e ka mohuar faktin se e ka goditur prokurorin. Por, përballë fakteve të paraqitura në gjykatë, siç është raporti mjeko-ligjor, gjykata ka vendosur lënien në burg të Zejnatit. Sherri lindi në sallën e gjyqit në Sarandë, ky i vëllai i tij 21-vjeçar po gjykohet për një grindje me pasoja plagosjen. Të premten e shkuar po zhvillohej seanca e 17-të e gjyqit, çka solli dhe përplasjen mes palësh. Ngjarja ka ndodhur në 11 nëntor të vitit 2008, kur një grindje për motive të dobëta mes të rinjsh, ka degjeneruar në përdorim të thikave dhe mjeteve të forta. sh.d