E keqja si alibi...
Asgjë tjetër përveç kësaj që thuhet në këtë titull s'mund të formulosh, teksa dëgjon këto ditë disa kolegë e fjalimembajtës që nxitojnë të bëjnë pikërisht këtë gjë, të pajtohen me të keqen, t'i nënshtrohen asaj.
Madje, ata po e teprojnë me mburrjet e pavend për zgjedhjet e 28 qershorit dhe për koalicionin historik, që assesi nuk është i tillë; po e bëjnë baltë me sulmet që synojnë denigrimin e opozitës dhe të liderit të saj.
Në vend që të analizojnë pjesën e keqe të asaj çka prodhuan (zgjedhje e koalicion bashkë) mbetën duke i kërkuar llogari opozitës dhe duke u mburrur. Zgjedhjet ishin të mira, koalicioni aktual është historik, e ardhmja e shkëlqyer(!) Situata është mjaft delikate, për të përdorur superlativa të tilla në lidhje me realitetin e 28 qershorit.
Qëndrimi ynë dhe i partnerëve tanë për zgjedhjet e fundit - ka ndodhur edhe më parë - mund të jetë pak a shumë një imitim i fjalës së Mark Antonit në varrimin e Jul Qezarit. Domethënë edhe ashtu, edhe kështu.
Shenjat për këtë janë të qarta. Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë, i përbërë nga përfaqësues të OSBE-së, ODIHR-it, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s, theksuan muajin e shkuar se zgjedhjet shënuan përparim përsa i përket kuadrit ligjor dhe regjistrimit të votuesve, por përparimet "u mjegulluan nga politizimi i aspekteve teknike, si dhe nga shkeljet e ndryshme që zbehën besimin e publikut në proçesin zgjedhor". (Bruti thotë se Qezari ishte i poshtri i dynjasë... Dhe Bruti është burrë i ndershëm.)
Zëdhënësi i OSBE, Eschenbwcher ka deklaruar se ka pasur përmirësime të qarta, për shembull ka një listë të verifikuar zgjedhësish apo ka një proces të identifikimit të votuesve me përdorimin e kartave të identitetit, gjë që përbën një rekomandim të bërë prej kohësh nga OSBE, tanimë të plotësuar dhe që është mirëpritur.
Të gjitha këto kanë kontribuar për të ulur mundësitë e abuzimeve. Nga ana tjetër kanë rritur aftësinë e votuesve për të marrë pjesë në votime. Natyrisht ka edhe aspekte negative, që i kemi vënë në dukje në raportin në fjalë. (Bruti thotë se ishte i poshtri i dynjasë...
Dhe Bruti është burrë i ndershëm.) Ka pasur raste të presionit ndaj votuesve, të shfrytëzimit të ngjarjeve zyrtare për fushatë elektorale, të votimit familjar, që mund të jetë një argument i kompromentimit të së drejtës për të votuar, për ata qytetarë, që nuk mundën të votonin për atë forcë politike që dëshironin t'i jepnin votën e tyre, sepse dikush tjetër e kishte bërë këtë.
Ka patur edhe deklarata që kurrsesi "nuk pajtohen me të keqen". Përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Bruce George: "Shqipëria duhet të bëjë shumë më tepër për të plotësuar standardet ndërkombëtare.
Me këto zgjedhje, Shqipëria nuk e ka arritur ende këtë fazë." Mbase një pjesë e vëzhguesve do të tërhiqen nga fraza të tilla mjaft të mprehta. Mbase do të bëhen të gjithë Mark Anton-ë. Këtu ka një tog rrethanash, për të cilat askujt nuk do t'i pëlqente kthimi prapa.
Gjithsesi, duke pritur me qetësi raportin përfundimtar, nuk mund të provokojmë veten tonë dhe të ardhmen euro-atlantike të vendit me pohime emocionale dhe retorikë boshe. Sidomos, nuk mund të kalojnë formulimet ekstremiste.
Një koleg i anshëm u shpreh këto ditë se zgjedhjet na qenkëshin "të lira dhe të ndershme në kuptimin e paritetit pozitë-opozitë, ose më saktë PD-PS, një paritet i plotë, kushte të barabarta financiare, kushte të barabarta të aksesit në media, procedurë zgjedhore bipartizane PD- PS nga votimi i Kodit Zgjedhor e deri tek votimi 7 me 0 i Kolegjit Zgjedhor për rezultatin final".
Dhe më tej, ja fragmenti nga njëra prej përgjigjeve të kryeministrit në lidhje me jetëgjatësinë e koalicionit fitues: "Së pari, në këtë kontekst, unë mund t'ju garantoj ju se shqiptarët më 28 qershor themeluan një nga koalicionet më të suksesshme dhe eficente që ata kanë njohur në historinë e vendit.
Zoti Meta sot bëri fjalë për 2013. Unë mund t'ju garantoj ju edhe për 2021." Ku mund ta gjesh, në fraza të tilla, fillin e zhvillimeve demokratike, të arritjeve demokratike dhe të integritetit?
Duke i bërë karshillëk së keqes, prodhohet alibia se po ia hedhim edhe këtë herë, po ia hedhim vazhdimisht, prej 20 vitesh. Është kaq qesharake!
Dhe pastaj analistëve të anshëm nuk iu vijnë për mbarë krahasimet dhe analogjitë që, gjithsesi, iu dalin përpara këtyre... teprimeve; më e pakta. Ja si shkruan kolegu që e kemi cituar edhe më lart, duke u munduar të lajë duart me kreun e opozitës:
"Përpjekja për paralele mes Berishës dhe Shervenxes së Gjeorgjisë, apo mes Berishës dhe Leonid Kucmanit të Ukrainës, nuk kanë ku të rrinë, pasi "Shërvenaxet" dhe "Kucmanët" e Shqipërisë, PD dhe Berisha i përmbysën me zgjedhje në 1992." Nuk di se ç'do të thotë të shkosh kaq larg në lëvdata.
Një mbrojtje të tillë (në tone kaq nostalgjike) do ta kishin zili si zëdhënësit, ashtu edhe fanatikët e çdo partie. Nuk e di a ka qenë këtu lëvdonjësi i nderuar, qejfmbetur nga disa paravoli, kur u dogj gazeta "Koha jonë", kur u futën në burg gazetarët, kur u rrahën Edi Rama, Ndre Legisi, Teodor Keko, etj., kur u vodhën zgjedhjet e vitit 1996, e kështu më tej.
Por le të kthehemi te e keqja e ditëve tona. Zgjedhjet e 28 qershorit kaluan përmes shumë problemesh, edhe pse mund të cilësohen "një hap përpara". Nga ana tjetër, koalicioni që do të qeverisë Shqipërinë në vitet e ardhshme, është një sajesë e ndërtuar mbi interesa të caktuara dhe duke deformuar vullnetin politik të një pjese të mirë të elektoratit.
Protagonistët e këtij koalicioni, për shumë arsye, do të bashkëqeverisin. Këtu s'ka vend për kundërshtime e zilira. I shumëdituri dhe gazmori Jarosllav Hashek thoshte: "Jeta nuk është një shkollë e sjelljeve fisnike." Kjo mund të thuhet edhe për politikën.
Por nga ana tjetër, koalicioni dhe fitorja në fjalë nuk se janë ndonjë gjetje, ca më pak lumturi e madhe për shqiptarët. E pra, nuk shkon të mburremi se kemi bërë zgjedhje të lira e të ndershme, se koalicioni ynë është historik, (kurse jemi sharë e stërsharë më parë mes vedi, gjoja për parime).
Të fshehësh të keqen, ta rrumbullakosësh atë, është njëlloj talljeje me publikun e gjerë dhe me tranzicionin e gjatë, që nuk zbythet pikërisht prej mendjelehtësish e hipokrizish të tilla.