Prokuroria nis hetimet për lejet e burgjeve
Nën hetim Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë. Dibra: S'mund të jap informacione sepse po punon prokuroria
Hetuesit kanë kërkuar shpjegime në Drejtorinë e Burgjeve në lidhje me lejet e të dënuarve
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit ka nisur hetimet për Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve në lidhje me çështjen e dhënies së lejeve të dyshimta për të paktën 32 të dënuar pak ditë përpara zgjedhjeve .
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, të cilët theksuan se regjistrimi i procedimit penal është kryer por pa emër të ndonjë subjekti apo individi si person nën hetim.
"Është regjistruar tashmë procedimi penal dhe po verifikohen të dhënat e kallëzimit të Partisë Socialiste ndaj drejtuesve të institucionit të drejtësisë, në lidhje me pretendimet se janë lëshuar leje shpërblyese për një numër të konsiderueshëm të burgosurish të rrezikshëm, të cilët janë vënë në funksion të fushatës së Partisë Demokratike"-thuhet nga burimet e rezervuara të akuzës, pasi drejtuesi i këtij institucioni prokuror Gent Xholi nuk pranoi të prononcohet për "Shekullin" për këtë çështje.
Në vazhdim, burimet u shprehën se janë kryer verifikime paraprake dhe institucioni i akuzës është në pritje të të dhënave të detajuara që i janë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me personat e liruar pak ditë para ditës së votimit.
"Gjatë muajit gusht, institucioni i akuzës e ka qenë me pushime dhe nuk janë bërë verifikime të tjera të nevojshme, tashmë me rikthimin në punë do të kryhen të gjitha procedurat e një hetimi të drejtë"- thanë zyrtarët nga prokuroria e kryeqytetit.
Ndërkohë, i pyetur nga "Shekulli" për listën e të liruarve me leje, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z.Gazmend Dibra, u shpreh se "gjithçka është kryer në përputhje me ligjin dhe rregulloren e burgut.
Në asnjë rast, të dhënies së lejeve personave të dënuar nuk është bërë shkelje e këtyre rregulloreve ligjore. Çdo i dënuar ka të drejtë 20 ditë leje në vit, leje kjo që fitohet për sjellje të mirë, për ndonjë ndodhi familjare apo sebepe të ndryshme",- tha drejtori Dibra.
Ndërkaq, në lidhje me kërkesën që për të vënë në dispozicion materialet e arsyetimit të lejeve të personave, që emrat e tyre ndodhen në listën e përfituesve të lejes shpërblyese, drejtori Dibra refuzoi.
"Me keqardhje, nuk mund t'ju vë në dispozicion të dhëna dhe detaje të hollësishme për secilin të dënuar, pasi dosja ndodhet në Prokurori dhe përderisa institucioni i akuzës ka çështjen nën hetim, ne nuk mund t'i shpërndajmë këto të dhëna",- tha drejtori Dibra për "Shekullin".
Sipas kallëzimit të PS-së, saktësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nën urdhrat e Ministrisë së Drejtësisë ka dhënë leje shpërblyese për të dënuarit që vuajnë dënimin edhe në burgun e sigurisë së lartë. "Në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në ligj, janë dhënë lejet shpërblyese për të dënuarit, madje edhe për ata që vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë.
Personat e poshtëshënuar që vuajnë dënimin me heqje lirie, janë të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore e me masa dënimi shumë të larta, dhe për rrjedhojë, nuk plotësojnë kushtet për të përfituar leje shpërblyese. Këtyre personave u është dhënë leje 5-14 ditore gjatë muajit qershor",-thuhet në kallëzimin e PS-së.
Lista e publikuar pak ditë më parë përmban të dënuar për vrasje, shfrytëzim prostitucioni dhe trafik armësh e droge, por kjo nuk ka penguar krerët e burgjeve dhe të drejtësisë që të firmosin lirimin e përkohshëm të tyre. Përveç kësaj, sipas kallëzimit, zyrtarë të lartë të PD-së kanë ndikuar edhe në dhënien e lejeve të veçanta.
Në këtë rast ligji parashikon shumë qartë se leje të veçanta mund t'iu jepen personave që vuajnë dënimin me heqje lirie vetëm për arsye shumë specifike, siç janë: raste vdekjesh, martesash apo sëmundje të rënda të rrezikshme për jetën e familjareve të tyre.
Verifikimet e Partisë Socialiste kanë zbuluar se më datat 12 qershor, 15 qershor, 16 qershor dhe 17 qershor, janë dhënë në shumicë leje në kundërshtim me ligjin.
Sipas socialistëve, këta të dënuar që kanë përfituar nga lejet kanë ndihmuar "bamirësit" e tyre për të marrë vota në zona të caktuara. "Në disa prej rasteve është ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike mbi individë apo familje të veçanta që dihet se do të votonin kundër qeverisë.
Në raste të tjera, të liruarit nga burgu kanë sjellë me vete edhe votat e fisit të tyre, dhe kjo ka nxjerrë në pah një tjetër problem të zgjedhjeve, votimin familjar",- thuhet ndër të tjera në kallëzim.