E Shtunë, 31 Tetor 2026

E kuqe si një nuse, në Torino

 

Ia ka kushtuar grave të familjes së saj, dhembshurisë dhe dashurisë që ato i kanë falur. Anilda Ibrahimi prezantoi në Torino romanin e saj të parë, “Rosso come una sposa” (“E kuqe si një nuse”). “Shqiptarët janë tashmë një nga bashkësitë e huaja më të integruara në Itali. Ata i japin shoqërisë italiane të paktën po aq sa marrin prej saj, ndaj nuk duhen konsideruar as më shumë e as më pak se qytetarë me të drejta të plota. Në këtë kontekst duhet konsideruar edhe letërsia ime. Ajo është vlerësuar nga shtëpia botuese “Einaudi” e më pas nga lexuesit dhe nga kritika, jo sepse është realizuar nga një shkrimtare e huaj, në këtë rast me origjinë shqiptare, por pasi përmban vlera në vetvete, të pavarura nga kombësia e autores së saj”. Kështu u shpreh shkrimtarja shqiptare Anilda Ibrahimi gjatë takimit me publikun torinez, që u zhvillua pak ditë më parë në Torino, në mjediset e bibliotekës “Italo Calvino”. Ndërhyrjet e saj u mirëpritën dhe u duartrokitën gjatë nga publiku i shumtë i pranishëm në sallë. “Rosso come una sposa” është romani im i parë. Atë kam dashur t’ia dedikoj familjarëve të mi, në veçanti grave të familjes sime, duke u përpjekur kështu t’ju kthej atyre të gjithë mirësinë që më kanë dhuruar gjatë fëmijërisë sime”, - u shpreh autorja. Në takim morën pjesë mbi 150 persona, shqiptarë dhe italianë, ndër të cilët edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe të botës artistike e intelektuale të Torinos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›