Filmi kosovar për hebrenjtë në Kanë
Pas vlerësimeve amerikane, “Fisnikët e botës” marrin rrugën për në “Kanë”. Tragjedia e hebrenjve të Luftës se Dytë Botërore duket se ka thyer mendjen e opinionit amerikan për fisnikërinë e shqiptarëve gjatë kësaj lufte, të cilët ushqyen dhe mbrojtën popullsinë hebraike në kohën kur atyre iu kërcënohej shfarosja nga nazizmi. Gjatë festivalit “The New York International Independent Film and Video Festival” u dhanë vlerësime pozitive për konkurrimin e filmit kosovar “Fisnikët e botës”, me skenar dhe regji të Mrika Krasniqit. Filmi u vlerësua i suksesshëm për shpalosjen e vlerave humane të kosovarëve si bujaria, besa-kodi i nderit të shqiptarëve, për dhënien e ndihmës pa rezerva popullit hebre gjatë Holokaustit. Këto vlera artistike të paraqitura përmes syrit të kamerës së regjisores Krasniqi arrijnë të fitojnë besimin e organizatorëve të festivalit të New Yorkut, të cilët nominuan zyrtarisht filmin kosovar “Fisnikët e Botës”, për konkurrim zyrtar në festivalin e “Kanës”, në kategorinë e filmave dokumentarë, që do të mbahet sivjet në muajin maj.