“Ne dhe Lenini” shfaqet në Paris
“Francezët kanë tjetër shije. Kapin ca nuanca, që shqiptarët nuk i nuhasin”. I sapokthyer nga Parisi, ku ka shfaqur filmin e tij “Ne dhe Lenini”, regjisori Saimir Kumbaro duket i kënaqur. Parisi e ka pritur ngrohtë filmin e Kumbaros, i cili me një ironi të hollë luan me të shkuarën e të tashmen. Ndryshe nga ç’pritej shikuesit më të shumtë në Cinema “Açatone” në Paris, ishin më shumë francezë se shqiptarë. Mes të pranishmëve, vetëm 50 mund të ishin shqiptarë, të tjerët francezë, dashamirës të Shqipërisë dhe artit. Mësohet se filmi u prit mjaft mirë dhe në fund nuk munguan duartrokitjet e gjata, por edhe pyetjet për regjisorin, të tipit: përse busti i Leninit ishte pa kokë, përse në fund mbeten vetëm tre, Llazar Korita, gomari dhe Lenini, do të ketë të tjerë pasues Lenini, a mund të gjejnë të moshuarit punë? Publiku intelektual ishte tepër i interesuar për të mësuar më shumë rreth kinematografisë në Shqipëri dhe gjendjes sociale këtu. Regjisori Kumbaro, i cili nuk e priste një reagim të tillë, është optimist për vijueshmërinë e filmit. Ky prodhim i saposhfaqur në Paris në një nga sallat, ku shfaqen kryesisht filma autorë, pritet të shfaqet edhe në vende të tjera. “Ne dhe Lenini”, me regji të Kumbaros dhe skenar të Ruzhdi Pulahës, merr shkas nga jeta e moshës së tretë në Shqipëri. Të gjitha kategoritë i kanë mbledhur në një azile të quajtur “Lulet e vjeshtës”. Gjen aty ish-funksionarë të kohës së diktaturës, ish-sekretare të devotshme, ish-artistë, të persekutuar, socialistë e demokratë. Të gjithë i ka mbledhur i njëjti fat, braktisja. Qetësinë e këtyre të moshuarve, të interpretuar nga aktorët më të mirë shqiptarë si Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Hajrie Rondo, Mirush Kabashi, Lazër Filipi, etj, e prish, vendimi që toka ku ngrihet qendra e tyre t’i shkojë pronarit. Për t’i shpëtuar kësaj gjëme, të moshuarit i drejtohen një idhulli të shembur, Leninit, të cilin ata e shohin të mishëruar tek aktori Llazar Korita. “Ne dhe Lenini” u shfaq në kinemanë e Tiranës në muajin janar.