E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaçe Zela: Çdo ditë lus Zotin të kthehem në Tiranë

 

ALMA MILE

Sa herë ka shpresuar se do të bëhej më mirë dhe do të mund të merrte avionin e të kthehej në Tiranë. E ka pritur me padurim këtë moment dhe nuk e fsheh dot mallëngjimin, kur e pyet se kur do të kthehet sërish në Shqipëri. Këngëtarja e madhe shqiptare, Vaçe Zela mbush sot 70 vjeç. Me këtë rast qindra urime i kanë shkuar këngëtares nga çdo kënd i globit, ku ka shqiptarë dhe adhurojnë këngët e saj. Ajo është e mallëngjyer dhe i sëmbon në zemër që këtë 70-vjetor nuk do të mund ta festojë dot në vendin e saj. Është lumturuar pa fund, kur një përfaqësi nga Radio Televizioni Shqiptar dhe presidenca shqiptare, i kanë shkuar në shtëpinë e së bijës, ku jeton prej vitesh, dhe i kanë çuar urimet dhe dhuratat për ditëlindje. Përmes së bijës, këngëtarja na sjell emocionet në këtë përvjetor larg vendit të saj.
Znj. Vaçe, duke ju uruar fillimisht jetë të gjatë, do të donim të dinim, si e pritët idenë për të organizuar një mbrëmje “Gala” për nderin tuaj në Tiranë?
Ju faleminderit për urimet. Dëshira fisnike për të kremtuar përvjetorin tim të shtatëdhjetë më ka prekur shumë.
Ky vit kulturor në Tiranë mban emrin tuaj, çdo të thotë kjo për ju?
Aq shumë, sa e kam të vështirë ta përmbledh në fjalë.
Vazhdoni të mbeteni zonja e skenës shqiptare, keni marrë shumë çmime, po ka ndonjë gjë që ju ka mbetur peng, që nuk e realizuat dot?
Ndoshta po të më kishit pyetur dikur, kur isha akoma aktive në jetën artistike, edhe mund t’ju kisha thënë diçka. Sot i kam harruar të gjitha këto. Ajo që më ka mbetur thellë në kujtesë është dashuria e pafund që më ka dhënë dhe vazhdon të më japë edhe sot publiku shqiptar.
Në dhuratën që ju erdhi nga Presidenca shkruhej “mitit shqiptar”, si ju duket kur ju thonë kështu?
Gëzohem me gjithë shpirt. Këto janë momente që s’është pak të them që më shtojnë jetën.
Çfarë ju mungon më shumë nga Tirana?
Gjithçka. Më ka marrë malli aq shumë për Shqipërinë. Ai vend më ka dhuruar një jetë plot emocione. Ai vend më bëri këtë që ju thoni se unë vazhdoj të jem për ju.
Do të donit të vinit?
Oh më mirë mos më pyesni, sepse prekem shumë. Kjo është ëndrra ime më e madhe. Lus Zotin që kjo një ditë të bëhet realitet.
Si ju duket kur dëgjoni këngët tuaja të interpretuara nga këngëtarë të tjerë?
Jam e lumtur që ato këngë vazhdojnë t’i mbijetojnë kohës.

Koncerti
Sot në orën 20:30 në Pallatin e Kongreseve, organizohet mbrëmja “Gala”, “Vaçe Zela, një grua, një zë, një mit”, për nder të këngëtares së madhe. Koncerti është organizuar nga radio televizioni Publik Shqiptar, nën kujdesin e veçantë të zonjës së parë, Teuta Topi. Koncerti është menduar në formën e një spektakli, ku këngët më të mira të këngëtares, të interpretuara nga të tjerë zëra, do të ndërthuren me kujtime miqsh dhe kolegësh. Ndërkaq, këngëtarja do të jetë e pranishme përmes pamjeve arkivore, që do të shfaqen në një monitor të madh.

Këngët
Nga fondi i pasur i këngëve të kënduara nga Vaçe Zela, janë përzgjedhur 15 më të mirat, mes të cilave shumë fituese çmimesh të para. Të orkestruara nga Adrian Hila, këngët do të vijnë nën interpretimin e këngëtarëve më të mirë të skenës shqiptare si Myfarete Laze, Irma dhe Eranda Libohova, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri, Juliana Pasha, Endri dhe Stefi, Qemal Kërtusha, etj., si dhe Naim Krasniqi, si i ftuar i veçantë i mbrëmjes.

Dhuratat për ditëlindje
Një mikrofon i larë në ar, i punuar me kujdes të veçantë, ishte një nga dhuratat që Presidenti i Republikës i bëri këngëtares Vaçe Zela, për ditëlindje. Në pllakatin e tij shkruhej “Vaçe Zelës si një grua, si një zë, si një mit. Nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e parë Teuta Topi”. Ndërsa dhurata e dytë ishte një letër e gdhendur në dru, ku shkruhej: “Perlës së muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›