E kuqja dhe e zeza e futbollit!
E kuqja dhe e zeza, përveçse ngjyrat e flamurit kombëtar, për sportdashësin shqiptar nënkupton më së pari kombëtaren. Tej kësaj, ka të bëjë me tifo-grupin më të organizuar e të madh mbështetësve të përfaqësueses sonë, Tifozat Kuqezi. Prezentë në të gjitha stadiumet, ku luan kombëtarja, ata kanë spikatur veç të tjerash me thënien sa kuptimplotë, aq edhe mjaftueshmërisht krenare kombëtare: O sa mirë me qenë shqiptar.
Deri këtu, dozat e patriotizmit janë të kuptueshme dhe i bëjnë mirë futbollit dhe vendit tonë përmes sportit, sidomos kur përfaqësohemi në rang ndërkombëtar. Por mpleksja e së kuqes dhe të zezës me nëntekste të tjera, me prapavijë përkatësish politike, të kujtdo qofshin, sidomos nëpër stadiumet e vendit, veçse e grish politikën në fushat e blerta. Pikërisht aty, ku sduhet të jetë, ku rregullat strikte dhe direktivat e UEFA-s e të FIFA-s e ndalojnë kategorikisht.
Të kuptohemi, këtu e kemi fjalën për të kuqen dhe të zezën e asaj pjese të opinionit futbolldashës shqiptar, e pagëzuar dhe e njohur nga të gjithë si Tifozat Kuqezi, që mendojmë se duhet ta ruajnë të paprekshëm dhe të pandryshueshëm misionin e krijimit të vet në rang tifo-grupi.
Ama, kjo nuk ia mohon të drejtën pjesës tjetër, që në emër të këtyre dy ngjyrave simbolizuese kombëtare të organizohet në mbrojtje të një kauze, apo një tjetre, pse jo, të përvijohet edhe si forcë politike në sistemin përkatës shqiptar. Shqetësimi ynë sportiv ka të bëjë me interferimin që ka ndodhur në ndonjë rast mes të kuqes dhe të zezës së futbollit kombëtar dhe të ndonjë lëvizjeje qytetare, apo parapolitike, e cila në këndvështrimin tonë nuk shkon si shartim.
Le të jemi më konkretë në këtë drejtim: Në emër të së kuqes dhe të zezës po flet e vepron edhe Aleanca Kuqezi, e cila duhet përshëndetur e përkrahur për mënyrën dhe fokusin e artikulimit të vet, si një organizatë e orientuar drejt mbrojtjes së interesave kombëtare, por çka na duket se nuk shkon, ka të bëjë me zhvendosjen herë pas here të veprimtarisë së saj nëpër stadiume.
Sikurse ndodhi më së fundi pardje, në stadiumin e Laçit, ku janë shpalosur parulla në emër të organizatave kuq e zi. Në stadiume tifozët shkojnë për të parë futboll, jo parulla e thirrje kombëtariste-politike. UEFA dhe FIFA nuk tolerojnë fare në këtë pikë, ndaj mendojmë se është rasti që vetë FSHF-ja të tregohet më syçelët. Në emër të futbollit, të misionit të tij.
Po ashtu, me të tilla mpleksje mendojmë se po zhvlerësohet e kuqja dhe e zeza e futbollit, e asaj që jemi mësuar ta shikojmë si lojtarin e 12-të të kombëtares, ndaj na duket e udhës që vetë tifo-grupi Tifozat Kuqezi, mbështetësit më të mëdhenj e të flaktë të kombëtares, ta zgjedhin më me kujdes modelin e vet të vijueshmërisë, për tiu ruajtur interferencave apo përdorimeve margjinalizuese politike.
Duke adhuruar tërë misionin sportiv të Tifozave Kuqezinj, na duket se bashkëlidhja e veprimtarisë së kujtdo lëvizjeje qytetare, apo me nëntekste politike, me stadiumet e futbollit, nuk premton për mirë për këtë të fundit. Stadiumi është pranuar si vend tubimesh masive sportive, por në çdo rast tjetër ngjan më shumë me idiotizëm politik. Kjo vlen edhe për cilëndo martesë të politikës me futbollin, nëpërmjet shndërrimit të tifozllëkut në pasion politik.
Përzgjedhja e stadiumit si vend i një veprimi politik mund të frymëzohet nga arsye taktike të njërit apo tjetrit, por teprimi me këtë gjë, orvatja për të shfrytëzuar pasionin sportiv, kalon çfarëdolloj oportuniteti taktik sportiv. I nënvizojmë këto gjëra, edhe pse të gjithë e dinë mirë se një individ, që shkon në stadium për të mbështetur skuadrën e vet, nuk mund të jetë detyrimisht subjekt i një qasjeje të caktuar politike. Qoftë kjo edhe me ngjyresa nacionaliste a kombëtare.
