E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulku: Luksemburgu na i prishi eliminatoret

Nga Adi Metaliu

Mesfushori Ervin Bulku thekson se analiza e kombëtares duhet bërë pas dy ndeshjeve të fundit

Shqipërisë do ti mungojnë lojtarë të rëndësishëm në mesfushë ndaj Francës, por situata do të jetë më e rëndë nëse edhe Ervin Bulku nuk riaftësohet në kohë (mendohet se ka tërheqje në kofshë). Për momentin nuk mund të them asgjë, do ta shohim në ditët e ardhshme, pas konsultimit me stafin mjekësor, – shprehet fillimisht Bulku, i cili më pas u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi situatën ku ndodhet kombëtarja kuqezi.

Analiza e kombëtares Kombëtarja nuk mund të vlerësohet me një apo dy ndeshje. Kërkohet një analizë më e thellë. Analizën nuk e bëjnë mediat, por specialistët apo stafi i specializuar brenda FSHF-së. Pasi të mbarojnë ndeshjet në grup, mund të bëhet një analizë e plotë.

Po të kishim marrë tri pikë ndaj Luksemburgut, e them me bindje se renditja përfundimtare nuk do të ishte kjo. Ne presim Rumaninë në fushën tonë dhe me një fitore mund të linim dy ekipe poshtë. Pra, humbja me Luksemburgun na ndëshkoi. Jemi të zhgënjyer nga ajo ndeshje, por kjo ka ndodhur tani dhe nuk mund të bëjmë gjë.

Mungesat me Francën Atmosfera është si ka qenë gjithmonë. Sigurisht që nuk kemi moralin e dy ndeshjeve të kaluara. Për fat të keq, kemi 6 mungesa. Shqipëria edhe një mungesë e vuan. Shpresojmë që trajneri të gjejë zgjedhjet e duhura dhe ti kalojmë me sukses këto dy ndeshje. Shqipëria është vend i vogël. Nuk është se ne shkojmë atje si favorite, por për ne kundërshtarët janë të njëjtë.

Diferencat nuk janë të mëdha. Nuk mund të mundemi si më parë me rezultate të thella. Ne duhet të luajmë lojën tonë, atë që kemi bërë në dy vjetët e fundit. Kemi zhvilluar disa ndeshje shumë të mira, por edhe një të dobët si ndaj Luksemburgut, ku ra shumë morali i ekipit. Te ne ndodh që kur fitojmë një ndeshje të fortë, kombëtarja ngrihet në qiell, dhe e kundërta kur humbasim, sikurse pas Luksemburgut.

Krahasimi Më shumë se dy vjet më parë, Shqipëria, e cila vinte pas një humbjeje zhgënjyese me Hungarinë, surprizoi në Portugali, duke barazuar 0-0 me 10 lojtarë. Pikërisht këtë fakt kërkon të marrë si shembull Bulku para ndeshjes me Francën. Edhe në edicionin e kaluar, ku pas një humbjeje në Hungari shkuam në Portugali, mediat tona dhe ato portugeze prisnin goleadë, por ndodhi e kundërta.

Ata nuk bënë goleadë, por mezi morën një pikë. Asnjë ekip nuk futet në fushë si i mundur. Po ta dinim se humbisnim, nuk zbrisnim në fushë. Sot nuk ka diferenca të mëdha mes ekipeve dhe ne kemi shpresat tona për rezultat pozitiv.

Stërvitja

Përveç Bogdanit, të gjithë në grumbullim

Grumbullimi i kuqezinjve ka nisur qysh të dielën pasdite me lojtarët e kampionatit shqiptar, ndërsa dje grupi është kompletuar me futbollistët, që aktivizohen në kampionatet europiane. Futbollistët që kanë luajtur të dielën, kanë zhvilluar paradite një seancë shkrydhëse, me vrapime të lehta, ndërsa pasdite kanë bërë vetëm masazh.

Pjesa tjetër e lojtarëve (ata që kanë luajtur qysh të shtunën apo edhe më parë) kanë zhvilluar një seancë të lehtë pasdite. Cana, Ujkani, Dallku e Januzi kanë mbërritur të fundit, ndërsa Bogdani, i cili do të mungojë me Francën për arsye kartonësh, pritet ti bashkohet sot skuadrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›