E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli: Takim me biznesin për të ndihmuar zonat e përmbytura

 Ministria e ekonomisë do të organizojë sot një takim me biznesin për të siguruar donacione në ndihmë të familjeve në zonat e përmbytura. Në një intervistë për gazetën, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Ekonomisë, Dritan Ylli, tregon si po menaxhohet situata në zonat e përmbytura, nxjerrjen e përgjegjësive dhe përgjigjet për akuzat e opozitës.Si paraqitet gjendja më e fundit në kaskadën e lumit Drin?Situata në kaskadën e lumit Drin, ku dhe gjenden tre HEC-et më të mëdhenj të vendit tonë, që prej dy ditësh paraqitet e stabilizuar dhe me tendenca përmirësimi. Gjatë ditës së djeshme ka vazhduar të ketë një rënie të prurjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës, pavarësisht reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë gjithë ditës. Prurjet janë stabilizuar diku tek 600 metër/kub në sekondë dhe ka një rënie të nivelit të Fierzës, me një rënie progresive gjatë dy ditëve të fundit. Ndërkaq më e mirë duket situata edhe në Koman dhe në Vaun e Dejës. Shkarkimet nga portat e të 3 HEC-eve, gjatë ditës së djeshme kanë qenë më të ulëta në krahasim me ditët e mëparshme. Situata duket se do të jetë optimiste edhe në ditët në vazhdim, duke pasur parasysh edhe parashikimet e metereologëve, sipas të cilave reshjet do të jenë më të pakta. Nga ana tjetër këshilltari i Kryeministrit italian Berluskoni, kryekomisari i digave në Itali, Guercio na ka garantuar se do të mundësojë përmes kompanisë ENEL, sjelljen e aparaturave speciale satelitore, të cilat do të na japin mundësinë të njohim ritmin e prurjeve të Drinit për ditët në vazhdim. Kjo do të krijojë mundësinë e një prognoze më të mirë të situatës, në mënyrë që të hartohet një skenar rigoroz dhe i kujdesshëm për menaxhimin e situatës në ditët në vazhdim, për të parë edhe mundësinë e uljes së mëtejshme deri në eliminimin e shkarkimeve nga portat e HEC-eve.Si po menaxhohet situata nga strukturat e METE dhe të KESH? Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në KESH, OST dhe strukturat e tjera në varësi të ministrisë po menaxhohet situata në mënyrë profesionale, duke punuar me një shërbim 24-orësh. Shtabi i emergjencës i ngritur pranë Ministrisë, mblidhet në mënyrë të vazhdueshme dhe përcakton skenarë të përllogaritura në mënyrë shumë rigoroze dhe të kujdesshme, të shfrytëzimit maksimal të ujit në prodhimin e energjisë, të minimizimit të shkarkimeve nga portat, por nga ana tjetër mbi të gjitha të stabilizimit të nivelit të Fierzës për të garantuar sigurinë kombëtare. Të gjithë centralet dhe objektet e KESH dhe OST janë në gatishmëri për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar risqet dhe për t’i eliminuar ato në moment. është me shumë rëndësi fakti se falë menaxhimit të mirë që i është bërë gjithë sistemit elektroenergjetik, gjatë këtyre ditëve të vështira, sistemi ka qenë në gatishmërinë maksimale. Të gjithë agregatet kanë qenë në gjendje shumë të mirë pune, duke përballuar prodhimin maksimal nga të gjithë HEC-et. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sistemin e transmetimit dhe të shpërndarjes, përveç ndonjë rasti tepër të rrallë të ndonjë avarie, që është riparuar në mënyrë urgjente. Dua të përfitoj nga rasti që si drejtues në ministri, por në radhë të parë si qytetar t’i drejtoj një falënderim në radhë të parë të gjithë punonjësve të KESH, OST, OSSH, por jo më pak strukturave të tjera të ministrisë si RISHM-i (Reparti i Inspektim dhe Shpëtimit të minierave) apo Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, të cilët me një heroizëm dhe sakrifica të jashtëzakonshme kanë punuar jo vetëm ditën, por edhe natën për të përballuar situatën e vështirë. Por një mobilizim i gjithanshëm vihet re nga të gjithë strukturat shtetërore dhe qeveritare. Thuajse e gjithë Qeveria ndodhet në Shkodër në ndjekje dhe menaxhim të situatës, sikurse dhe kryeparlamentarja Topalli. Banorët dhe i gjithë opinioni publik e ka ndjerë se këtë herë shteti ka qenë në gatishmëri totale dhe i është përgjigjur në mënyrë rrufe situatës kritike. Jo më kot në një sondazh të VOA rreth 85 për qind e të anketuarve japin mendimin se Qeveria i është përgjigjur si duhet situatës. Kryeministri Berisha, Zv.Kryeministri Meta dhe të gjithë ministrat e Qeverisë kanë qenë të mobilizuar në mënyrë të jashtëzakonshme në menaxhimin e situatës. METE ka nisur një aksion për grumbullimin e ndihmave për banorët dhe familjet e dëmtuara nga përmbytjet. çfarë po bëhet në këtë drejtim?Duke parë përmirësimin e situatës, METE ka ndërmarrë një nismë për të grumbulluar sa më shumë ndihma dhe kontribute që do të shkojnë për banorët dhe familjet e dëmtuara nga përmbytjet. Këtu vlen të theksohet ndihma e dhënë nga kompania Alb-Petrol prej 25 milionë lekësh të reja, OSSH ka dhënë 10 milionë lekë të reja. Një ndihmë të konsiderueshme ka dhënë edhe Posta Shqiptare, por edhe kompanitë e telefonisë celulare që operojnë në Shqipëri, apo përfaqësues të rëndësishëm të biznesit si Taci Oil. Ministri Prifti i ka bërë një thirrje për solidaritet dhe ndihmesë të familjeve të dëmtuara të gjithë dhomave përfaqësuese të biznesit në vend. Sot do të zhvillohet një forum mjaft i rëndësishëm dhe i zgjeruar, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës, ku do të jetë i pranishëm edhe Ministri Prifti dhe pritet që shumë biznesmenë të japin kontributin e tyre financiar dhe material në ndihmë të banorëve dhe familjeve të dëmtuara. Ndërkohë, siç ka theksuar edhe Kryeministri i vendit, çdo cent i energjisë që po përfitohet nga eksporti do të shkojë në kompensimin e familjeve në nevojë.Opozita gjatë gjithë këtyre ditëve ka akuzuar duke bërë përgjegjës për situatën...?Unë kam një bindje absolute se situata është menaxhuar në mënyrë të kujdesshme, profesionale, në përputhje me rregulloren dhe kuadrin ligjor. Madje situata mund të ishte edhe më kritike se kaq, por është parandaluar falë këtij menaxhimi korrekt. Këtë e kanë theksuar edhe ekspertët më të mirë hidroenergjetikë të vendit, por edhe ekspertët e huaj. Kryekomisari i digave të Italisë theksoi se menaxhimi i kujdesshëm nga ana e Qeverisë, solli për rrjedhojë edhe shmangien e çdo të papriture që mund të kanoste sigurinë kombëtare. Vërtet që situata është kritike, por për një zonë të izoluar, ku janë shkaktuar dëme materiale dhe falë Zotit, por edhe falë menaxhimit rigoroz nuk ka asnjë pasojë në jetë njerëzish. Prurjet jashtëzakonisht të larta, që erdhën në mënyrë të menjëhershme, si pasojë e rritjes së temperaturave dhe shkrirjes së borës, të bashkuara edhe me reshjet e shiut e bënë të pashmangshme hapjen e portave, për të garantuar sigurinë kombëtare. Por gjithçka u bë në përputhje me rregulloren e shkarkimit të plotave në HEC-et Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës dhe me regjim të mirë studiuar, por të pashmangshëm për hapjen e portave dhe shkarkimin e ujit. Por, opozita nuk i ka reshtur akuzat gjatë gjithë këtyre ditëve. Unë mendoj se opozita po përpiqet thjesht dhe vetëm të përfitojë bonuse politikë të hedhur në kurriz të atyre banorëve dhe familjeve në nevojë, pasojë e përmbytjeve nga fatkeqësia natyrore. Përmbytje edhe më të mëdha kemi parë në vende të Evropës perëndimore dhe në SHBA, por atje opozita ndjen përgjegjësinë të kontribuojë realisht, duke u solidarizuar në përballimin dhe zgjidhjen e situatës së vështirë dhe jo duke ofruar disa shishe uji, tallëse dhe fyese në raport me situatën kritike. Lidershipi i kësaj opozite tregoi edhe njëherë papjekuri, amoralitet, sjellje thellësisht adoleshenteske, të turpshme dhe të papërgjegjshme. Asnjë kontribut, asnjë alternativë, asnjë ide apo mendim për zgjidhje, përveçse kontributit të shtyrjes së protestave. Edhe këtë herë, lidershipi i PS po tregon me sjelljen e papërgjegjshme, para politike, alla-OJQ siç kanë thënë edhe vetë anëtarë të forumeve drejtuese të PS, se është kundër interesave të vendit dhe të qytetarëve, ashtu sikurse edhe në rastin e mos hyrjes në parlament duke u munduar t’i vërë shkopinj nën rrota proceseve integruese apo liberalizimit të vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›