Frika nga përmbytja, banorët kërkesa të mëdha për ushqime
SHKODER/ RITVAN DIBRAFrika se kriza e përmbytjes do të zgjasë ka detyruar familjet që vazhdojnë të strehohen në shtëpitë e tyre, dhe pse të rrethuar nga uji, të kërkojnë ushqime në sasi të mëdha. Burime të shtabit të emergjencës pohuan dje, se çdo kërkese, sado e madhe apo jo të jetë ajo, i janë përgjigjur. Prej ditësh, forca të ngarkuara nga shtabi i emergjencave kanë bërë një furnizim të pandërprerë me bukë dhe ushqime të zonave të përmbytura ku ka banorë, të siguruara nga rezervat e shtetit. Në fshatra të ndryshme si Mushani, Shirqi, Oboti etj., ushtarët dhe policët lëvizin me motobarka shtëpi më shtëpi për t’i pyetur nëse kanë ndonjë problem apo nevojë për të ndërhyrë. Sipas disa drejtuesve të komunës Ana e Malit, fshati Obot konsumon jo më shumë se 40 bukë. Por ndërkohë, nga shtabi i emergjencave mësohet se, edhe pse në këto banesa ndodhen vetëm kryefamiljarët, aktualisht në Obot konsumohen mbi 140 bukë në ditë. Drejtuesit e shtabit thonë se, edhe pse janë të bindur se buka po shpërdorohet, ata janë të detyruar që t’ua dërgojnë sasinë që kërkojnë, për të evituar akuza të mundshme të banorëve se nuk po ndihmohen. Nga ana tjetër, kjo kërkesë justifikohet dhe me faktin se banorët kanë frikë se pasojat e fatkeqësisë natyrore do të zgjasin deri në një afat të pacaktuar. Sipas burimeve në shtabet e emergjencës, nuk kanë qenë të pakta dhe rastet kur banorë të ndryshëm të këtyre zonave kanë telefonuar edhe për shkaqe të rëndomta që t’u vihet në ndihmë. Megjithatë çdo rast është vlerësuar nga ushtarët dhe efektivët e policisë, të cilët kanë qenë të gatshëm që të shkojnë pranë vatrave ku mendohej se kishte nevojë për ndërhyrje. Ndonëse numri i banorëve nga zonat e përmbytura nga uji sa vjen e rritet, duke shënuar 4780 ditën e djeshme, ka ende familje ose vetëm të zotët e shtëpive që qëndrojnë në to. Ata strehohen në katet e larta të ndërtesave, ndërsa kanë kontaktuar me shtabin e emergjencës për nevojat e tyre. Në dispozicion të banorëve të evakuuar është vënë një numër i madh ambientesh në qytetin e Shkodrës. Njëri prej tyre është hotel “Rozafa”, i cili është mbushur me kapacitet të plotë, duke strehuar dhe ushqyer mbi 100 persona, burra, gra fëmijë dhe pleq. Dhe pse ata shprehen të kënaqur për kushtet e akomodimit aty, sërish ata që kanë fëmijë të vegjël e kanë të vështirë të jetojnë jashtë shtëpisë. “Uji që na ka hyrë në shtëpi, - pohon Sabahet Kurti, një nga banoret e evakuuara nga lagjja “Salo Halili”, nuk na ka lënë kohë që të merrnim ndërresa për fëmijët e vegjël”. Ajo jeton tek “Rozafa” vetë i gjashtë dhe me vete ka dhe dy mbesat, njëra 3 dhe tjetra 1 vjeçe e gjysmë. Por, siç tregon gjyshja, nuk kanë ndërresa e pelena për fëmijët, pasi nga urgjenca se uji u mbuloi shtëpinë kanë menduar si të shpëtojnë jetën. Veç banorëve të strehuar në hotel, një numër i madh është sistemuar në konviktin e shkollës industriale, asaj pedagogjike, artistike si dhe në ambientet e repartit ushtarak në Rencë.