E Shtunë, 31 Tetor 2026

E liroi gjykata, 17-vjeçarja vetëgjyqësi pas përdhunimit

 

LEZHE / ROLAND NIKOLLI

Një 17-vjeçare sfidon drejtësinë duke përdorur vetëgjyqësinë. Ajo tentoi dje të vrasë me armë zjarri një 18-vjeçar, të cilin e akuzoi se e kishte përdhunuar, por gjykata e liroi një muaj pas arrestimit për mungesë provash. Policia e Lezhës bëri të ditur se adoleshentja A.J. tentoi të hakmerret pas vendimit të padrejtë sipas saj që ka dhënë gjykata për lirimin e K.L. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:40 në një lokal në fshatin Tale të Lezhës ku viktima punonte. Vajza ka udhëtuar nga fshati i saj Shënkoll, e armatosur dhe kur mbërriti në lokal qëlloi tre herë ndaj personit të cilin ajo e akuzoi se i kishte marrë nderin. Asnjëri prej plumbave nuk e kapën shënjestrën e saj, pasi ai arriti të largohet me shpejtësi nga dera e pasme e lokalit. Ngjarja terrorizoi klientët e shumtë, të cilët i shpëtuan mrekullisht plumbave të kallashnikovit. Mes britmave ata u shtrinë të gjithë përdhe për t’iu shpëtuar plumbave. Pas ngjarjes në vend mbërriti policia e Lezhës, e cila disa orë më pas shoqëroi në ambientet e saj autoren, si dhe sekuestroi armën e krimit. Mësohet se vajza ka pranuar autorësinë. Sipas dëshmisë së saj, ajo kishte vendosur ta vriste vetë djalin, i cili e kishte përdhunuar rreth dy muaj më parë. Pas denoncimit të saj, K.L u arrestua. Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me afat 1 muaj”. Por pas hetimeve të kryera dhe raportit mjeko-ligjor rezultoi se ajo nuk ishte përdhunuar dhe gjykata e la atë të lirë. Adoleshentja nuk është pajtuar me këtë vendim, sipas saj, të manipuluar. “Shteti nuk më mbrojti, ndaj jam detyruar ta mbroj vetë nderin tim. Prej kohësh e kisha siguruar armën pa dijeninë e prindërve të mi”, është shprehur 17-vjeçarja para policisë, duke mos shfaqur pendesë për krimin e kryer. Policia ngriti një grup hetimi për këtë çështje ndërsa pritet që specialistët e Ministrisë së Drejtësisë të mbërrijnë në Lezhë dhe të kalojnë në sitën e tyre gjithë dokumentacionin dhe procedurat e ndjekura nga ana e gjyqësorit për lirimin e 18-vjeçarit.
Ngjarja për të cilën adoleshentja nga Shënkolli i Lezhës kreu denoncimin ka ndodhur dy muaj më parë. Sipas dëshmisë së saj, ajo ishte në dyqanin në pronësi të familjes, kur K.L është futur dhe pasi i ka mbyllur derën e ka përdhunuar. Policia e akuzoi për “vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje” por burimet pohuan se mund të vendoset hetimi në gjendje të lirë për shkak të moshës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›