E Shtunë, 31 Tetor 2026

E-mailet e Alibeajt në dosjen “Gërdeci”

 

Trazhgim Sokolaj

“Këshillat” ligjore të dhëna nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në kohën kur ndodhej me detyrë në Kryeministri, u administruan në cilësinë e provave materiale në dosjen e tragjedisë së “Gërdecit”. Prokurorët e çështjes morën kontakt me të gjithë punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, që ishin angazhuar në përgatitjen e dokumenteve lidhur me çmontimin e municioneve në Gërdec. Secili prej këtyre personave është pyetur nëse ka pasur letërkëmbim shkresor apo elektronik me ministrin aktual të Drejtësisë Alibeaj. Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë pohuar se ishin “këshilluar” me Alibeajn, janë paraqitur në prokurori dhe aty me kërkesë të organit të akuzës, kanë paraqitur të gjitha shkresat, që kanë marrë nga Alibeaj e po ashtu, kanë hapur e-mailet e tyre, duke u dhënë prokurorëve nga një kopje të postimeve elektronike të bëra nga Alibeaj lidhur me çështjen “Gërdeci”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, sipas të cilave materialet e administruara së fundi në dosje, përmbajnë të dhëna për rrugën ligjore, që është ndjekur në hartimin e vendimeve, urdhrave dhe normave të Ministrisë së Mbrojtjes, që i hapën rrugën vendimit të Qeverisë e më pas fillimit të punës për çmontim municionesh në Gërdec. Prokuroria tha se nga materialet e administruara në dosje, (mbi dhjetë e-maile elektronike të Alibeajt dërguar zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes), është bërë me dije se ish-shefi i Departamentit të Antikorrupsionit në kryeministri, Enkelejd Alibeaj, aktualisht ministër i Drejtësisë, ka qenë në dijeni të veprimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, madje ka marrë pjesë në hartimin e paketës ligjore, që i parapriu hapjes së fabrikës së çmontimit të fishekëve e predhave në rajonin ku ndodhi tragjedia. Organi qendror i akuzës ka paralajmëruar se do të thërrasë ministrin e Drejtësisë për të dhënë sqarimet e tij mbi “asistencën” ligjore që ka dhënë. Prokuroria pohoi se thirrja e Alibeajt është çështje ditësh, pasi zyrtarët e hetimit janë duke verifikuar në detaje qëndrimin që ai ka mbajtur në letërkëmbimin me Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me Gërdecin. Prokuroria tha se pasi të njihet në hollësi me përmbajtjen e e-maileve të administruara në dosje do të presë ministrin e Drejtësisë për të dhënë sqarimet e tij lidhur me këtë çështje. Burimet zyrtare thanë se e-mailet e Alibeajt janë administruar në dosjen penale të tragjedisë së Gërdecit mbi bazën e një urdhri të dhënë prej drejtuesit të hetimeve Zamir Shtylla. Prokuroria konfirmoi, se pasi u njoh me e-mailet e Alibeajt konsideroi, se ato përbëjnë fakte të vlefshme për hetimin dhe për këtë shkak, urdhëroi administrimin e tyre në dosje, madje zhvillimin e verifikimeve të mëtejshme mbi këto materiale. Në një intervistë për shërbimin shqip të radios BBC, ministri Alibeaj, pranoi pak ditë më parë se ka qenë në dijeni të kësaj çështje, duke pohuar se ka dhënë këshillat e tij, gjithnjë në zbatim të ligjeve të vendit. Prokuroria e Përgjithshme ndërkohë edhe gjatë ditëve të fundit ka marrë në pyetje “marrësit” e e-mail-eve të dërguara në këtë dikaster nga Alibeaj lidhur me çështjen e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›