Paralajmërimi i Alibeajt për draftin, tërhiqet Prokuroria
Trazhgim Sokolaj
Institucioni i akuzës bëri një zhvendosje të dukshme, në qëndrimin e ashpër kund-ërshtues ndaj disa dispozitave të vendosura në draftin e Ministrisë së Drejtësisë, për ndryshime në ligjin e Prokurorisë. Kjo e fundit refuzoi dje të bënte komente zyrtare, në lidhje me projektligjin, por mësohet se Prokuroria e Përgjithshme është e hapur për negociata, nëse i kërkohet një gjë e tillë. Duke refuzuar të shprehen zyrtarisht në lidhje me këtë çështje, burimet e Prokurorisë së Përgjithshme duken të tërhequra nga kërkesa e tyre e disa ditëve më parë, që drafti të mos dërgohet në Qeveri, me qëllim që të ripunohet në nenet që flasin për heqjen e imunitetit të prokurorëve dhe kontrollin e ministrit të Drejtësisë ndaj dosjeve penale, me qëllim raportimin në Kuvend çdo gjashtë muaj mbi punën e Prokurorisë. Organi i akuzës nuk bëri asnjë artikulim të qartë mospranimi ndaj këtyre dispozitave, të konsideruara më parë problematike për pavarësinë e këtij institucioni të centralizuar sipas Kushtetutës. “Negociatat e zhvilluara deri më tani, ishin produktive në ndryshimin e pesë neneve të kritikuara nga ne, në draftin e paraqitur në muajin shtator. Jemi të hapur për negociata me grupin e punës në Ministrinë e Drejtësisë nëse na kërkohet”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Ato lanë mënjanë mospranimin e heshtur të artikuluar më parë, kur Ministrisë së Drejtësisë nuk u kthye asnjë përgjigje prej datës 6 tetor 2008 e në vazhdim, pasi kopjet përfundimtare të draftit u dorëzuan në organin e akuzës. Në të njëjtën pozitë me Prokurorinë e Përgjithshme duket edhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, e cila ka refuzuar dje të bëjë komente lidhur me këtë çështje.
Tërheqja pas ultimatumit
Një qëndrim i tillë i Prokurorisë, duket se vjen vetëm një ditë pas deklaratës së prerë të ministrit të Drejtësisë Alibeaj, se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projektligji për Prokurorinë, se prokurorët nuk do të kenë imunitet, pasi kjo nuk parashikohet në Kushtetutë dhe se ky draft do të kthehet në ligj edhe me sakrifica nga ana e maxhorancës. Duke parashikuar siç duket një konflikt tjetër të hapur me Ministrinë e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme është tërhequr nga qëndrimi i hapur mospranues që u mbajt më parë mbi projektligjin. “Vlerësojmë konsensusin e arritur deri më tani për heqjen dhe ndryshimin e pesë dispozitave, që ndodheshin në versionin e parë të draftit në shtator 2008. Konkretisht, heqja e parashikimit për shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm, në rast të fillimit të procedimit ndaj tij nga prokuroritë e rretheve, heqja e pezullimit nga detyra të prokurorëve, në rast se ndaj tyre paraqitet kallëzim penal, (është të pezullohen vetëm në rast se regjistrohet procedim penal ndaj tyre), zgjerimi i Këshillit të Prokurorisë dhe heqja e parashikimit për detyrimin e replikës nga prokurori i Përgjithshëm me ministrin e Drejtësisë pas raporteve, që ai paraqet në Kuvend lidhur me kontrollet në prokurori”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, Prokuroria është në pritje të kërkesës nga komisioni për të dhënë komentet e fundit mbi dispozitat e diskutueshme, që lidhen me heqjen e imunitetit dhe kontrollet e ministrit në Prokurori, me qëllim raportimin në Parlament.
Gjykatësit e “Delijorgjit”,Alibeaj: Ja pse nuk votova
TIRANE – Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, sqaroi dje se dy ditë më parë ishte larguar nga mbledhja e KLD-së, gjatë kohës që votohej shkarkimi i tre gjykatësve të çështjes “Delijorgji” Shaqir Gradica, Naim Pejo dhe Ylli Minka, pasi ligjërisht nuk lejohej votimi për të. Kjo për faktin se ministri ishte anëtari i KLD-së që kishte kërkuar shkarkimin e tyre dhe për pasojë ligjet e përjashtojnë votimin e tij. “Në përputhje të plotë me këtë kuadër kushtetues dhe ligjor, ministri kërkoi procedimin disiplinor të tre gjyqtarëve, parashtroi gjatë mbledhjes faktet dhe provat e procedimit disiplinor, propozoi masën e shkarkimit nga detyra për secilin prej gjyqtarëve e dha argumentet ligjore për bazueshmërinë e kërkesave të tij. Mosmarrja pjesë e Alibeajt në momentin e votimit ishte në përmbushje të plotë të detyrimeve kushtetuese e ligjore dhe një standard i përmirësuar në drejtim të sigurimit të një procesi të rregullt ligjor, si dhe një risi e ministrit të Drejtësisë, sepse ky detyrim kushtetues dhe ligjor është respektuar prej tij edhe në raste të tjera”, thuhet në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë. f.m.